Ukraina në prag lufte

19/03/2014 00:00

Aktivistët pro-rusë kontrollojnë bazën e marinës së Ukrainës në qytetin e Sevastopolit në Krime, ku kanë vendosur edhe flamurin e Federatës Ruse.

Shefi i marinës, Serhi Hajduk, siç raportohet, u arrestua dhe u mor nga shërbimi i Sigurisë Federale Ruse, FSB. Prokurorët në Sevastopol mohuan të ishin përfshirë në arrestimin e tij, siç shkruhet ne faqen e internetit “Ukrajinska Pravda”.

Presidenti i Ukrainës vendosi një ultimatum prej tre orësh për lirimin e të gjithë pengjeve. Trupat pro-ruse duket se kanë marrë nën kontroll bazën e Ukrainës në Sevastopol, ku ndodhet edhe Flota Ruse e Detit te Zi, pa përdorur armë, pasi nuk u dëgjua asnjë e shtënë.

Rreth 200 persona, disa të armatosur rrëzuan derën dhe hynë brenda për të biseduar me personelin ukrainas. Kievi urdhëroi trupat të mos lëvizin, por disa prej tyre vendosën të largoheshin, ndërsa të tjerë nuk u dorëzuan.

Sic raporton media ukrainase, ministri i Mbrojtjes Ihor Tenjuk dhe zv/kryeministri Vitali Jarema udhëtuan drejt Krimesë të mërkurën, në përpjekje për të ulur tensionet, por u ndaluan të hynin.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës raportoi edhe per një incident tjetër në bazën e marinës në Novo-Oziorne, në perëndim të Krimesë. Një traktor kishte rrezuar derën dhe kishte bllokuar hyrjen e saj.

Këto zhvillime ndjekin nënshkrimin e traktatit nga udhëheqësit e Krimesë dhe presidenti rus Vladimir Putin, i cili e cilësonte gadishullin pjesë të Rusisë. Gjykata Kushtetuese e Rusisë miratoi traktatin dhe pritet pa mëdyshje që ai të marrë edhe mbështetjen e plotë të Parlamentit.

Cameron: Të përjashtojmë Rusinë nga G8-a

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian vendosën sanksione ndaj disa zyrtarëve rusë dhe ukrainas, të akuzuar për përfshirje në veprimet e Moskës në Krime.

Uashingtoni dhe Brukseli thanë se sanksionet do të zgjerohen. Nga ana e saj, Moska e ka cilësuar këtë të papranueshme dhe ka paralajmëruar se nuk do të mbetet pa pasoja.

Kryeministri britanik, David Cameron tha se Bashkimi Europian duhet t’i dërgojë një mesazh shumë të qartë Rusisë. Ai tha se grupimi G8 duhet të diskutojë për dëbimin e Rusisë nëse ajo vazhdon me të tjera hapa.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon do të takojë të enjten presidentin rus, Vladimir Putin, ndërsa të premten udhëheqësit ukrainas.

Putin rrit pensionet për Krimenë

Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi qeverinë të rrisë pensionet në Krime për t’i ngritur në të njëjtin nivel me ato të Rusisë. Këtë apel ai e bëri gjatë takimit në Novo Ogarjovo, në perëndim të Moskës.

“Të gjithë qytetarët rusë duhet të gëzojnë të njëjtat kushte. U takon juve të vendosni si do ta bëni këtë. Ju dhe deputetët e Dumës duhet ta mendoni dhe ta bëni. Dhe ju lutem mos humbni kohë, bëjeni sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Putin.

Ukraina mendon tërheqjen e ushtarëve

Ukraina po harton plane për tërheqjen e ushtarëve nga Krimea. Shefi i Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kiev, Andrij Parubji gjatë një konference për shtyp tha:

 “Po hartojmë planin që do të na mundësojë jo vetëm tërheqjen e ushtarëve, por edhe pjesëtarëve të familjeve të tyre në Krime. Kësisoj ata do të lëvizin shpejt dhe me efiçencë në Ukrainë”.

Ai tha gjithashtu se po merren masa për vendosjen e vizave për rusët që udhëtojnë në Ukrainë. Më herët forcat pro-ruse morën dy baza detare, përfshirë edhe zyrat qendrore në Krime.

Andriy Parubiy tha se “Ukraina do të lërë Bashkësinë e shteteve të pavarura, CIS, dhe po përgatitet për stërvitje ushtarake me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, e cilësoi krizën në Krime “si një zile alarmi për bashkësinë euro-atlantike”.

Ai ndodhet në Uashington, për të diskutuar mbi krizën në Ukrainë. Më herët, aktivistët pro-rusë morën nën kontroll bazën e marinës së Ukrainës, në qytetin e Sevastopolit në Krime, ku vendosën edhe flamurin e Federatës Ruse.

Top Channel