Izraeli sulmon bazat siriane

19/03/2014 00:00

Izraeli deklaron se ka sulmuar disa pika ushtarake siriane, si kundërpërgjigje ndaj një bombardimi që plagosi katër anëtarë të trupave të saj në Lartësitë e Golanit.

Media shtetërore siriane njoftoi se një ushtar mbeti i vrarë dhe shtatë të tjerë u plagosën në sulmet ndaj tre bazave të saj jashtë lokalitetit të Kunetirës.

Ndërsa ushtria izraelite deklaroi se objektivat ishin një seli qëndrore ushtarake, një bazë stërvitjeje dhe një tjetër artilierie. Sipas saj, një ditë më parë ushtria siriane kishte mbështetur dhe nxitur sulmin ndaj një patrulle izraelite në afërsi të vijës së armëpushimit.

Por Komanda e Përgjithshme Ushtarake e Sirisë tha se sulmet ajrore ishin një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga fitoret e vazhdueshme të trupave të saj ndaj forcave rebele, në veçanti për të rimarrë nën kontroll qytetin e Jabrudit, në veri të Damaskut.

Gjithashtu, pala siriane paralajmëroi Izraelin se një veprim i tillë vë në rrezik sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, si dhe hap rrugën për një sërë opsionesh të tjera.

Forcat ajrore izraelite kanë kryer operacione të ndryshme në Siri që nga nisja e kryengritjeve tre vjet më parë. Sulmet ajrore dyshohet të kenë parandaluar transferimin e një ngarkese raketash nga qeveria siriane tek Hezbollah, lëvizja shiite libaneze që mbështet presidentin Bashar al Assad.

Top Channel