Ankesa e Autoritetit të Konkurrencës

19/03/2014 00:00

Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Milo dekalroi të mërkurën në komisionin parlamentar të ekonomisë se vendimet e institucionit që ajo drejton zvarriten nëpër gjykata, duke shkaktuar përkeqësim të problemeve në treg.

“Vitin e kaluar në tre shkallët e gjyqësorit kanë kaluar 27 çështje, 16 prej të cilave mbetën për shqyrtim në vitin 2014, ndërsa 11 përfunduan gjatë vitit 2013, prej të cilave 5 të humbura, 5 të fituara dhe një e çuar në Gjykatën Administrative”, deklaroi Milo.

Gjatë vitit 2013, Autoritetit i janë adresuar 16 ankesa nga biznesi, prej të cilave 4 për marrëveshje të ndaluara dhe 8 për abuzim me pozitën dominuese të ndërmarrjeve.

Por për deputetin e Partisë Socialiste, Ervin Koçi, pavarësisht rritjes së kërkesave të vetë biznesit për ndërhyrje, problemet mbeten ende të pazgjidhura nga autoriteti.

“Ka probleme në tregun monopolistik. Kompanitë konçesionare kanë sjellë mungesë efiçence në treg dhe çmime jokonkurruese. Kjo ka bërë që palët të zgjidhin konfliktet me masa antiligjore, si rasti i tregut të gazit të lëngshëm”, deklaroi Koçi.

Sipas deputetit socialist, sektorë të tjerë problematikë janë ai i telefonisë celulare dhe tregu i sigurimeve.

Top Channel