Tajlandë, hiqet gjendja e jashtëzakonshme

18/03/2014 00:00

Qeveria në Tajlandë do të heqë gjendjen e jashtëzakonshme të mërkurën,
pasi në vend është verifikuar një rënie e tensioneve pas javësh të tëra
protestash anti-qeveritare.

Autoritetet deklarojnë se dekreti i gjendjes së jashtëzakonshme do të zëvendësohet nga Akti i Sigurisë së Brendshme. Dekreti 60-ditor i emergjencës, i vendosur më 22 janar në Bangkok dhe në provincat përreth, i dha qeverisë mundësinë që të përballej me rendin e trazuar publik.

Protestuesit anti-qeveritarë dëshirojnë që kryeministrja Yingluck Shinawatra të japë dorëheqjen dhe që qeveria e saj të zëvendësohet nga një “këshill popullor”.

Ata, pasi e nisën fushatën e tyre në nëntor, akuzojnë qeverinë se po drejtohet nga lideri në mërgim Thaksin Shinawatra, vëllai i kryeministres. Në kulmin e manifestimeve, protestuesit bllokuan rrugët kryesore në Bangkok dhe bashkë me to edhe selitë e ministrive.

Por intensiteti i tyre ka rënë në javët e fundit dhe një pakicë protestuesish tani mbajnë të pushtuar vetëm një park në qendër të kryeqytetit. Zonja Yingluck aprovoi vendimin për të hequr gjendjen e jashtëzakonshme gjatë një mbledhjeje të kabinetit të saj ditën e martë.

“Ne kemi rënë dakord që të heqim gjendjen e jashtëzakonshme dhe të përdorim Aktin e Sigurisë së Brendshme duke filluar nga dita e nesërme deri më 30 prill, pasi numri i protestuesve ka rënë dhe pas apeleve të komunitetit të biznesit”, deklaroi shefi i Sigurisë Kombëtare për agjencinë “Reuters”.

Të paktën 23 persona humbën jetën dhe qindra të tjerë u plagosën që nga nisja e protestave në fundvitin e kaluar, që shënuan krizën më të rëndë politike në Tajlandë që prej vitit 2010.

Top Channel