BE miraton 6.1 miliardë euro për Ukrainën, në fokus mbrojtja ajrore, raketat dhe municionet Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar në një sesion të jashtëzakonshëm të Parlamentit rus se Krimea ka qenë gjithmonë pjesë e Rusisë.
“Në zemrën e zemrave të popullit, Krimea ka qenë gjithmonë pjesë e Rusisë”, tha Putin nga selia e Kremlinit, ku njoftoi dhe ligjet e reja të bashkimit të Krimesë me Federatën Ruse.
Në fjalimin e tij, që u adresohej të dyja dhomave të Parlamentit dhe ku ishin të pranishëm liderët e rinj të gadishullit, Putin tha se personat që fshihen pas kryengritjeve në Ukrainë janë ekstremistë që e futën vendin në kaos.
“Krimea ka qenë dhe është një pjesë e pandashme e Rusisë dhe rezultatet e referendumit ishin më shumë se bindëse”, vijoi Putin, duke shtuar se, populli i Krimesë nuk mund të ndalej përpara kësaj “padrejtësie historike” dhe kishte të drejtën e vetëvendosjes.
“Populli i Krimesë e shprehu qartë dhe bindshëm vullnetin e tij, se do që të jetë me Rusinë. Vlerësoj kurajon dhe dinjitetin e këtij populli dhe falenderoj të gjithë rusët për ndjenjat patriotike”, u shpreh presidenti.
Pasi hoqi një paralele mes rastit të Kosovës dhe atij të Krimesë, shefi i Kremlinit u bëri thirrje rusëve që të mos u tremben kërcënimeve ndërkombëtare.
“Rusia sigurisht do të përballet me Perëndimin që do t’i përgjigjet kësaj lëvizjeje, por ne duhet të vendosim vetë për veten tonë: a do të mbrojmë interesat tona kombëtare, apo do të heqim përgjithmonë dorë prej tyre”, tha Putin.
Audienca e pranishme vazhdimisht e duartrokiti presidentin gjatë fjalimit të tij dhe i dhuroi atij një seri ovacionesh. Më pas, ashtu sikurse pritej u firmos edhe marrëveshja për bashkimin e gadishullit të Krimesë me Federatën Ruse.
Top Channel