“Periudha e tritolit, vetëm 1 informacion”

18/03/2014 00:00

Top Channel ka arritur të sigurojë disa prej informacioneve të dhëna nga Ministria e Brendshme Presidentit të Republikës si edhe Komisionit të Sigurisë Kombëtare.

Në këtë informacion është detajuar puna e Shërbimit Informativ Shtetëror në lidhje me llojin e informacionit dhënë Policisë së Shtetit. Që nga janari i vitit të shkuar e deri në 4 shkurt të këtij viti, shërbimi ka përcjellë vetëm tre informacione në polici në lidhje me tregtinë e armëve luftarake dhe minave me telekomandë, ndërkohë që vetëm pas deklaratës së Ministrit të Brendshëm në Komisionin e Sigurisë se nuk ka patur informacionin e nevojshëm nga SHISH, më 4 shkurt, Shërbimi ka dërguar menjëherë 11 raportime në polici në lidhje me këtë aktivitet kriminal, vetëm për tre jave. Pavarësisht se policia i ka konsideruar ato si të dhëna pa ndonjë vlerë të madhe.

Sipas raportit të dorëzuar në presidencë dhe parlament thuhet se ”Në  periudhën janar 2013, 10 shtator 2013, pak ditë përpara se të vinte në detyrë qeveria e re, Shërbimi Informativ Shtetëror ka informuar plot 87 herë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë me 30 informacione për krimin e organizuar, drogën dhe trafiqet e paligjshme, për krimin ekonomiko-financiar me 10 informacione, si edhe 45 informacione të tjera sekret të listës së kontrollit, kërkesa për bashkëpunim e të tjerëve.

Për këto nëntë muaj janë dhënë 2 informacione në lidhje me trafikun e armëve dhe municioneve dhe eskplozivëve, ku njëra ka lidhje me armët luftarake, ndërsa tjetra me mina me telekomandë.
 
Për periudhën nga 10 shtatori deri në 31 dhjetor të vitit të shkuar SHISH i ka përcjellë policisë 38 informacione, 11 për drogën dhe trafiqet e paligjshme, tetë për korrupsion dhe 18 informacione të tjera për kërkesa për bashkëpunim apo njoftime për veprime terroriste. I vetmi informacion që lidhet me trafikun e armëve dhe eksplozivëve atë të eksplozivëve me telekomandë është dhënë nga SHISH në mesin e dhjetorit. Të dhënat nuk përcaktonin kohën e kryerjes së aktiviteteve të dyshuara.
 
Ndërsa në periudhën 1 janar 2014 deri në fillim të shkurtit, kur aktet terroriste me tritol kanë qenë shqetësimi kryesor për rendin, janë dhënë 19 informacione, nëntë për trafik droge, 2 për kontrabandë, dhe vetëm 1 informacion për trafik municioneve dhe eksploziv. Informacioni, sipas policisë, u dha tre ditë pasi policia i kishte arrestuar personat. Sasia e informacioneve të dhëna nga SHISH për policinë ka ardhur pas datës 4 shkurt, kur edhe Ministri i Brendshëm nisi debatin politik se shërbimi sekret nuk po bashkëpunonte me policinë.

Për periudhën 4 shkurt dhe 1 mars janë dhënë 41 informacione, nga të cilat 11 për trafiqet, 19 të tjera për njoftime dhe lista kontrolli, dhe 11 informacione për trafikun e armëve dhe minave me telekomandë. Përvec kësaj janë dhënë informacione nga Drejtoritë Rajonale të SHISH, policive lokale, në përfundim të së cilës ka rezultuar se asnjëra prej tyre nuk vlente, ose personat ishin arrestuar më parë.

Top Channel