Nis aneksimi i Krimesë

18/03/2014 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin ka informuar zyrtarisht parlamentin për kërkesën e Krimesë për t’iu bashkuar vendit, veprim që përbën hapin e parë legjislativ drejt aneksimit të gadishullit.

Zoti Putin, që firmosi të hënën një vendim përmes të cilit njeh pavarësinë e Krimesë, aprovoi gjithashtu një projekt/rezolutë për unifikimin me të.

Edicioni online i Gazeta.ru, që citon burime zyrtare, thotë se pas fjalimit presidenti Putin dhe kryetari i parlamentit të Krimesë pritet të firmosin një marrëveshje për hyrjen e kësaj të fundit në Federatën Ruse.

Pasi ka aprovuar projekt/rezolutën, Putin u ka thënë deputetëve rusë që ta miratojnë atë, vijon raportimin gazeta ruse.

Me t’u firmosur, ajo duhet të aprovohet nga gjykata kushtetuese dhe më pas të ratifikohet nga Parlamenti. Procesi pritet të përfundojë brenda javës.

Krimea i kaloi Ukrainës nga Rusia nën regjimin e Bashkimit Sovietik në vitin 1954 dhe shumica e popullsisë së saj është me etni ruse.

Gadishulli u mor nën kontroll nga forcat pro-ruse nga fundi i shkurtit, pasi presidenti pro-rus i Ukrainës, Viktor Yanukovych u rrëzua nga pushteti pas një zinxhiri protestash dhe u detyrua të braktiste vendin.

E teksa Kremlini mohon që trupat e armatosura në gadishull të jenë ushtarë rusë, ai ka pranuar se deputetët e parlamentit autorizuan përdorimin e forcës pas një kërkesë formale për ndihmë nga zoti Yanukovych, që strehohet në Rusi.

Top Channel