Kenia, arrestohen dy të dyshuar si terroristë

18/03/2014 00:00

Policia në qytetin port të Kenias, Mombasa, ka bërë të ditur se ka arrestuar 2 persona, të cilët ishin duke ngarë një makinë me dy bomba të improvizuara të fshehura brenda saj.

Të dyshuarit, një nga Kenia dhe tjetri me origjinë nga Somalia, kishin planifikuar të sulmonin një objektiv të pa specifikuar, shtoi më tej policia. Arrestimet erdhën pas një grindjeje, tha një zyrtar i policisë.

Kenia është një nga shtetet e përfshira në “dritën e alarmit”, pasi militantë nga grupi islamik i al-Shabab-it të Somalisë sulmoi një qendër tregtare në Nairobi, vitin e kaluar. Siguria është rritur edhe më tej, pas incidentit të së hënës.

“Nuk e kemi zbuluar ende se cili ishte objektivi, por kemi arrestuar dy të dyshuar si terroristë, të cilët ishin duke drejtuar mjetin”, tha Henry Ondiek, i Departamentit të Hetimeve Kriminale në Mombasa.

“Arritëm të kuptonim se ata të dy ishin drejtuar për të ndërmarrë një sulm, në një vend të paspecifikuar, ndërkohë që ne i zumë në pritë”, tha ai.

Dy bomba artizanale u gjetën në mjetin e ndaluar, si dhe një telefon celular, i cili mund të përdorej si një detonator, bën të ditur policia. Në sulmin e Shtatorit të kaluar, të paktën 67 persona vdiqën, kur al-Shabab mësyri “stuhishëm” qendrën tregtare “Westgate”.

Në Shkurt, më shumë se 100 persona dolën para gjykatës në Mombasa, të akuzuar se ishin anëtarë të al-Shabab, pas një sulmi në një xhami. Grupi terrorist i lidhur me al-Qaeda-n, al-Shabab, ka kryer disa sulme në Kenia, si pasojë e asaj që është deklaruar si hakmarrje për vendimin e Nairobit zyrtar për të dërguar trupa ushtarakë në Somali.

Top Channel