Beteja President-Qeveri

18/03/2014 00:00

Debati i Presidentit të Republikës Bujar Nishani me Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, nuk u shua edhe pas një takimi që ata patën në selinë e Presidencës mesditën e së martës.

Pas këtij takimi, Presidenca, me një deklaratë për shtyp, u shpreh se “Ministri i Brendshëm i paraqiti Presidentit të Republikës disa pretendime në lidhje me bashkëpunimin institucional në kuadrin e luftës kundër krimit të organizuar”. Më tej në deklaratë thuhet se, “Presidenti e vlerësoi si me rëndësi parësore bashkëpunimin dhe besimin ndërinstitucional dhe këshilloi Ministrin e Brendshëm të shmangë konfliktin verbal me institucionet, veçanërisht në kontekstin e angazhimeve ligjzbatuese”.

Në të njëjtën kohë, të daljes së kësaj deklarate nga Zyra e Shtypit e Presidencës, Saimir Tahiri do të sulmonte presidentin, duke thënë se ishte duke mbajtur anë dhe i ka kujtuar atij se duhet të jetë mbi palët.

“Brenda kornizës institucionale dhe brenda detyrimeve kushtetuese jemi të dënuar të gjithë bashkë, t’i përkushtohemi të vërtetës. E pashë me vend, t’i bëja me dije Presidentit të Republikës të vërtetën, veçanërisht pas deklaratave të tij të fundit. Gjykoj, që në të gjitha rastet do të ishte më e shëndoshë që Presidenti i Republikës të moderonte bashkëpunimin mes institucioneve, sesa duke neglizhuar të vërtetën të mbante një palë, cilëndo qoftë”, tha Tahiri.

Ministri i Brendshëm tha para mediave se dha prova shkresore kreut të shtetit si edhe Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare se Shërbimi Informativ Shtetëror nuk ka bashkëpunuar me policinë.

“Presidenti i Republikës do ta shohë që e vërteta shkresore e komunikimit institucional është larg nga deklaratat që Presidenti ka bërë. Kam informuar Komisionin Parlamentar të Sigurisë, lidhur me të vërtetën, sepse unë besoj që përkushtimi ynë ndaj të vërtetës edhe kur bëhet fjalë për bashkëpunimin institucional, aq më tepër në luftën e përbashkët kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit, na vë ne të gjithë në pozita për të pasur më shumë sukses përballë qytetarëve”, tha Tahiri.

Nishani: Jo luftë mes institucioneve

Pas takimit me Tahirin, Presidenti i Republikes ne nje deklarate per shtyp, eshte shprehur se takimi u zhvillua me kerkesen e ministrit te Brendshem. Ne deklarate thuhet se, “Ministri i Brendshëm i paraqiti Presidentit të Republikës disa pretendime në lidhje me bashkëpunimin institucional në kuadrin e luftës kundër krimit të organizuar.

Presidenti i Republikës, pasi e vlerësoi si me rëndësi prioritare bashkëpunimin dhe besimin ndërinstitucional, veçanërisht në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve, e këshilloi Ministrin e Brendshëm të evitojë konfliktin verbal me institucionet,  veçanërisht në kontekstin e angazhimeve ligjzbatuese.

Presidenti i Republikës sugjeroi gjatë këtij takimi që angazhimet dhe kontributet e rëndësishme të institucioneve kushtetuese të vendit në fushën e sigurisë të vlerësohen dhe shfrytëzohen maksimalisht nga ana e Policisë së Shtetit, në interes të objektivit të përbashkët në luftën ndaj krimit dhe trafiqeve. 

Top Channel