“Rusia do të pushtojë edhe Ukrainën Lindore”

17/03/2014 15:50

Zëvendëskryeministri i qeverisë së Krimesë, Rustam Temirgaliev parashikon që Moska të mos ndalet vetëm me këtë krahinë.

Duke folur një ditë pas referendumit të paligjshëm sipas perëndimit dhe Ukrainës që shpalli bashkimin e Krimesë me Rusinë, Temirgaliev parashikoi që edhe Ukraina lindore të bëhet pjesë e Rusisë.

“Në Donbas, në Donetsk, Kharkiv, Lugansk dhe zona të tjera të Ukrainës është e njëjta situatë si në Krime”, deklaroi Termigaliev, duke iu referuar zonave lindore të vendit.

“Jam i bindur se 70-75% i banorëve të Ukrainës Lindore dëshirojnë t’i bashkohen Rusisë”, shtoi zëvendëskryeministri.

Një prej mbështetësve kryesorë të bashkimit me “mëmëdheun”, në qeverinë e konsideruar si kukull nga perëndimi, Temirgaliev shtoi se tashmë kanë nisur planet për të përmirësimin e infrastrukturës dhe lidhjes me elektricitet me sistemin e shpërndarjes së Rusisë.

Një urë mbi det, që pritet të lidhë Rusinë kontinentale me Krimenë gjithashtu është miratuar në projekt dhe pritet të nisë nga ndërtimi së shpejti.

Top Channel