Britani, fituesi me fat i Lotarisë Kombëtare

15/03/2014 00:00

Një biletë-mbajtës britanik ka mundur të fitojë çmimin e “jackpot”-it të lotarisë “Euromillions” prej 107,9 milionë paund, duke u bërë kështu fituesi i katërt më i madh në historinë britanike të Lotarisë Kombëtare.

Numrat fitues ishin 6, 24, 25, 27 dhe 30, ndërsa numrat e yllit me fat ishin 5 dhe 9. Ende nuk është bërë e ditur nëse bileta fituese i përket një lojtari si individ apo një sindikate. Fituesit britanikë kanë rrëmbyer më shumë se 4 miliardë paund falë çmimeve të dhëna nga “Euromillions”, që kur kjo kompani nisi funksionimin e saj në vitin 2004.

Një zëdhënës i Lotarisë Kombëtare tha: “Ndërkohë që moti pritet të jetë i mirë gjatë javës në vijim, ky fitues me fat britanik ka vendosur ‘drejtësinë’ për pjesën tjetër të jetës së tij, teksa është bërë tashmë një multimilioner”.

“Mbajtësi i kësaj bilete, njëkohësisht edhe fitues i vetëm, do të futet në listën ekskluzive të ‘Top 5’ të më të pasurve të Lotarisë Kombëtare, duke u renditur i katërti, ndërkohë që ne kemi futur shampanjën në akull që tani, në mënyrë që ta bëjmë gati kur fituesi me fat të marrë çmimin e fituar”.

Çmimi më i madh i një “jackpot”-i të “Euromillions” i fituar ndonjëherë, është rrëmbyer nga Colin dhe Christine Weir, nga Largs në Skoci. Çifti në fjalë fituan 161 milionë paund në Korrik të vitit 2011, e që prej atëherë kanë krijuar Trustin e Bamirësisë Weir, për të përmirësuar cilësinë e jetës në Skoci.

Shuma e dytë më e madhe ka shkuar për Adrian dhe Gillian Bayford, nga Haverhill i Suffolk-ut, më 10 Gusht 2012, kurse çmimi i tretë më i madh prej 113 milionë paund, në Tetor 2010, u fitua nga një fitues që vendosi të mbetet anonim.

Bazuar në listën e më të pasurve të “Sunday Times” për vitin 2013, fituesi i ri i lotarisë do të ishte personi i 745 më i pasur në Mbretërinë e Bashkuar, me një pasuri që do të tejkalonte për pak renditjen e pop-starëve George Michael dhe Robbie Williams.

Gazeta përllogarit se dy këngëtarët kanë një pasuri prej afro 105 milionë paund secili.

Top Channel