Kerry: Venezuela t’i japë fund “terrorit”

14/03/2014 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka bërë të ditur se qeveria e Venezuelës duhet t’i japë fund “fushatës së terrorit ndaj qytetarëve të saj”.

Kerry tha se Organizata e Shteteve Amerikane (OAS), aleatëve dhe fqinjëve duhet ta bëjë përgjegjëse Venezuelën për protestat.

Autoritetet thonë se 28 persona kanë ndërruar jetë që prej nisjes së trazirave më shumë se 1 muaj më parë. Venezuela akuzon Shtetet e Bashkuara se ka ndihmuar “fashistët e krahut të djathtë” për të thurur komplote nëpërmjet trazirave në vend.

Deklaratat e Kerry-t janë më të ashprat e lëshuara ndonjëherë nga Uashingtoni, që prej nisjes së protestave.

“Po përpiqemi të gjejmë një rrugë ta bëjmë qeverinë e Maduros të reflektojë mbi qytetarët e vet, t’i trajtojë ata me respekt, t’i japë fund kësaj fushate terrori ndaj vet popullit të tij si dhe të nisë, me shpresë, të respektojë të drejtat e njeriut në rrugën e duhur”, tha Kerru në një komitet të Kongresit amerikan.

Ligjvënësit amerikanë kanë debatuar nëse do të duhet të vendosen apo jo sanksione për vendin e pasur me naftë. Presidenti Maduro tha këtë javë se qeveria e tij kishte “neutralizuar” një “grusht-shteti të ekstremistëve të djathtë”.

Ai fajësoi grupe në Shtetet e Bashkuara, Venezuelë dhe kombe të tjera të Amerikës Latine për planet “e akuzuara”. Qeveria venezueliane ka përjashtuar tashmë ambasadorin panamez dhe 3 diplomatë të tjerë.

Muajin e kaluar, 3 diplomatë amerikanë u konsideruan “persona non-grata”, pas akuzave për konspiracion me protestat e studentëve.

Prokurorja e Përgjithshme e Venezuelës, Luisa Ortega Diaz, tha të enjten se 28 persona kanë ndërruar jetë gjatë protestave. Gjithashtu, të enjten, përplasje të reja mes protestuesve dhe forcave të sigurisë ndodhën në Karakas, ku mbështetësit e qeverisë organizuan marshimet e tyre.

Dhjetra demonstrues u arrestuan.

Top Channel