Izraeli kundërsulmon Gazën

13/03/2014 00:00

Avionët luftarakë izraelitë kanë sulmuar 29 objektiva palestineze në Rripin e Gazës, në përgjigje të një breshërie raketash nga Xhihadi Islamik drejt Izraelit, në orët e para të së mërkurës, bëri të ditur ushtria.

Dëshmitarë palestinezë dhe gazetarë thanë se avionët goditën bazat e liderëve të Hamasit dhe krahun e armatosur të Xhihadit Islamik. Izraeli raportohet gjithashtu të ketë mbyllur kufijtë me Rripin e Gazës.

Militantët lëshuan mbi 30 raketa në Izraelin jugor, thanë zyrtarët. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se 5 prej tyre qëlluan zonat e populluara me banorë civilë, ndërkohë që disa prej të tjerave u ndërprenë nga sistemi i mbrojtjes nga raketat “Iron Dome”.

Kjo ishte breshëria më e madhe e raketave të lëshuara që prej përfundimit të konfliktit të Nëntorit 2012 me Gazën. Xhihadi Islamik njoftoi se kishte lëshuar raketa në shenjë hakmarrje ndaj vrasjes së 3 militantëve të tyre gjatë së martës, pas një sulmi ajror izraelit.

“Voice of Israel” njoftoi të mërkurën se Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë mbyllur kufirin, pas sulmeve të fundit me raketa. Media citonte ministrin izraelit të Mbrojtjes, Moshe Yaalon, të ketë thënë se Izraeli fajëson Hamasin, si përgjegjës për përshkallëzimin e dhunës dhe paralajmëroi se grupi terrorist do të “paguajë një çmim të lartë”.

Por, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Hamas, nëpërmjet një deklarate ndërluftuese. “Muxhahedinët tanë u përgjigjën ndaj agresionit zionist duke lëshuar dhjetra raketa”, thuhej në të.

Duke folur për BBC, zëdhënësi i grupit shtoi se “raketat e lëshuara të mërkurën ishin si përgjigje e agresionit pushtues kundër nesh dhe nuk nënkupton prishje të marrëveshjes së armëpushimit me Izraelin”.

Edhe një tjetër grup militantësh në Gaza, “Komitetet Popullore të Rezistencës”, njoftuan se kishin lëshuar disa raketa. Një deklaratë e ushtrisë izraelite, gjatë orëve të vona të së mërkurës, bënte të ditur se mbetjet e 60 raketave janë gjetur deri më tani.

Top Channel