Takimi i shtatë i MSA-së me Shqipërinë

12/03/2014 00:00

Të mërkurën mblidhet në Strasburg Komiteti i shtatë ndërparlamentar i Stabilizim-Asocimit me Shqipërinë. Takimi nis pasdite me miratimin e agjendës së diskutimeve 2-ditore, e cila radhit ende 12 pika, mes të cilave “ndjekja e rekomandimeve” nga takimi i mëparshëm i 29 Tetorit në Tiranë si dhe “progresi në zbatimin e ligjit të ri për shërbimin civil”.

Në kuadër të takimit përgatitor, pala shqiptare propozoi një draft prej 10 pikash, ku këto dy çështje liheshin jashtë diskutimit, i cili orientohej më shumë drejt punës së qeverisë për luftën ndaj krimit, korrupsionit e trafiqeve si dhe në nevojën e Shqipërisë për një reformë administrative territoriale.

Edhe pse tingëlloi “poetik” sugjerimi i bashkëkryetarit Taulant Balla, Parlamenti Europian e pranoi pjesërisht atë, pa hequr dorë nga diskutimi për ligjin e ri të shërbimit civil, i konsideruar si temë e ndjeshme e opozitës. Javën e kaluar, një përfaqësi e kryesuar nga Majlinda Bregu zhvilloi takime me kreun e Delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan, raportuesin Nikola Vuljaniç dhe përfaqësues të Këshillit. Mësohet se në këto takime është kërkuar, midis të tjerash, një përfaqësim më i mirë i opozitës në tryezat me ndërkombëtarët, përfshirë në komitetin ndërparlamentar, megjithëse struktura e mbledhjes përcakton vetëm dy bashkëkryetarë.

Dialogu politik, gjyqësori, të drejtat e autorit dhe media pritet të përmenden gjatë diskutimit për ndjekjen e 14 rekomandimeve të 28-29 Tetorit si dhe për çështje të ndryshme.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel