Klosi: Skema po merr hov të ri

12/03/2014 00:00

Në lidhje të drejtpërdrejtë me kryeredaktorin përgjegjës të lajmeve në Top Channel, që prej ditës së hënë edhe folës i Revistës së Mbrëmjes, edicionin e zgjeruar informativ të mesnatës, Pandi Gjata, ka qenë ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, zoti Fatos Klosi, për të komentuar në lidhje me ngjarjen e fundit të arrestimit të 8 personave, me akuzën e terrorizmit për shkak se rekrutonin shqiptarë për të luftuar në Siri.

Pandi Gjata: Ju besoj e keni ndjekur cështjen e arrestimit të 8 personave nën akuzën e terrorizmit, që akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për rekrutimin e njerëzve që i dërgonin në luftën në Siri. Nga eksperienca juaj e gjatë si ish-shef i SHISH por edhe pasi e keni lënë këtë detyrë, është aktivizuar tani nga lufta në Siri kjo skemë apo ka ekzistuar edhe më herët?

Fatos Klosi: Besoj se në këtë moment ka marrë një hov të ri. Sigurisht mund të ketë ekzistuar edhe më herët, por tani po bëhet akoma më e qartë. Është për të ardhur keq, që vite më parë jemi marrë me të huajt në Shqipëri dhe kemi larguar disa prej tyre, ndërsa tani me aktivitete të tilla po merren më shumë shqiptarët me shqiptarë. Do të thoja se kemi bërë disa hapa pas në këtë drejtim.

Pandi Gjata: Ju keni qenë shef i SHISH pikërisht kur janë larguar disa të huaj vite më parë për këtë arsye. Tashmë që bëhet fjalë për akuza ndaj shqiptarëve, cfarë ka ndodhur në analizën tuaj, zoti Klosi?

Fatos Klosi: Cfarë kanë ndodhur? Shqiptarët kanë pasur kontakte më të mëdha me terrorizmin. Me sa duket shumë djem shqiptarë, që kanë shkuar për t’u shkolluar jashtë, kanë pasur kontakte dhe i kanë ruajtur ato, duke i forcuar më shumë.

Pandi Gjata: Shqipëria ka qenë e papërgatitur? Cfarë ka munguar për gjithë këtë zhvillim të ri?

Fatos Klosi: Nuk mund të them që Shqipëria ka qenë e papërgatitur. Them që kontaktet e të rinjve shqiptarë, që me siguri janë të indoktrinuar, me segmentë të caktuar të terrorizmit janë shtuar më shumë. Tashmë i del detyrë shtetit me sa po shohim, që të tregohet më i kujdesshëm jo vetëm me të huajt, por edhe me shqiptarët. Me sa duket edhe ata po bëhen problematikë.

Pandi Gjata: Ndoshta edhe një kuriozitet, nëse ju mund të jeni në dijeni se si ndodh ky rekrutim deri në frontin e luftës, zoti Klosi?

Fatos Klosi: Nuk besoj se e njoh këtë problem, natyrisht. Tashmë, mbas shumë e shumë vitesh që nuk jam më në shërbim, jam një qytetar i ndjeshëm, por nuk di më shumë se ç’thonë mediat. Kështu nuk mund të them se si është mekanizmi.

Pandi Gjata: Sa i rrezikshëm është ky fenomen dhe ndryshimet e fundit në ligj a e frenojnë, flas për Shqipërinë por ndoshta i referohem edhe Kosovës, që e ndërmori këtë hap për këto masa pak më herët se Tirana zyrtare.

Fatos Klosi: Sigurisht nuk mund të them se sa i rrezikshëm që është, sepse nuk i di përmasat e këtij fenomeni, por sërish mbetet i rrezikshëm. Sepse, nëse do lejohet kjo gjë, nëse shteti nuk do të ndërhyjë, gjithnjë e më shumë shqiptarë do të jenë në kontakte me këtë lloj terrorizmi dhe kjo gjë nuk i bën mirë Shqipërisë.

Pandi Gjata: Mediatizimi i kësaj cështjeje, a ndihmon në frenimin e këtij fenomeni?

Fatos Klosi: Sigurisht që ndihmon. Media bëri mirë që e publikoi këtë fenomen, kështu që më shumë prindër janë të ndërgjegjshëm se ç’mund të ndodhë me fëmijët e tyre, mund të kujdesen më mirë. Ndaj dhe them se media ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm me këtë hap.

Top Channel