Venezuelë, rifillojnë protestat në Karakas

11/03/2014 00:00

Disa qindra mjekë dhe studentë të degës së mjekësisë kanë zbritur sërish në sheshin e Karakasit, për të denoncuar shërbimin e dobët shëndetësor në Venezuelë.

Manifestimi i tyre është zhvilluar në të njëjtën kohë teksa mbështetësit e qeverisë kanë parakaluar në favor të kësaj të fundit, raportojnë agjencitë ndërkombëtare të lajmeve.

Të veshur me të bardha dhe me një flamur të madh të Venezuelës, mjekët dhe studentët janë përpjekur të arrijnë selinë e zëvendëspresidencës.

Godina në fjalë ndodhet në qendrën me shumicë “chaviste” të qytetit, ku kanë ndërhyrë dhe forcat e rendit të cilat kanë deklaruar se manifestimet nuk ishin të autorizuara.

Protestat në Venezuelë filluan muajin e kaluar, me qytetarët që në shenjë proteste ndaj jetës së shtrenjtë dhe varfërisë radikalizuan veprimet e tyre duke ngritur barrikada dhe duke iu vënë flakën plehrave në rrugët e Karakasit.

Gjatë këtyre protestave, që konsiderohen si më seriozet në vend prej një dekade, janë regjistruar të paktën 13 viktima dhe rreth 150 të plagosur.

Studentët protestues të vijës së ashpër kërkojnë dorëheqjen e presidentit Nicolas Maduro, i cili ende nuk ka mbushur 1 vit në krye të postit aktual.

Protestuesit duan gjithashtu që Maduro të çarmatosë grupet mafioze pro-qeveritare dhe të adresojë problemet kombëtare, duke nisur nga krimi i organizuar deri tek mungesa e energjisë dhe e mallrave jetike.

Nga ana e tij, presidenti 51-vjeçar akuzon kundërshtarët politikë se kanë planifikuar një grusht-shteti të mbështetur nga Uashingtoni. Kjo bëri që ai të dëbonte disa diplomatë amerikanë nga vendi dhe të kërcënonte CNN për dëbim, për shkak të transmetimit të protestave.

Top Channel