Sulmohet “hipokrizia” e botës me Iranin

11/03/2014 00:00

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka sulmuar atë që ai e konsideron “hipokrizi” ndaj Iranit, teksa zbuloi ngarkesën e armëve të nisura, sipas akuzave, nga Teherani drejt Gazës.

Të hënën, Netanyahu vëzhgoi raketat e kapura në anijen e ndaluar nga komandot e Marinës në Detin e Kuq javën e kaluar, si dhe akuzoi komunitetin ndërkombëtar se po injoron mbështetjen iraniane për grupet e armatosura, duke rënë viktimë e fushatës së kontakteve me lidershipin e ri të Teheranit.

“Irani nuk e ka braktisur përfshirjen e tij të thellë me terrorizmin dhe ambiciet e tij për të shkatërruar shtetin e Izraelit”, tha Netanyahu. “E reja sot nuk janë veprat apo gënjeshtrat e Iranit, por dëshira e shumë palëve në komunitetin ndërkombëtar, për të ulur kryet si struci”.

Marina izraelite ndaloi dërgesën e armëve në bordin e një anije “Klos-C” me flamuj panamez javën e kaluar, që sipas ushtrisë kishte ndërmarrë një rrugëtim prej 8000 km, duke nisur nga Siria, më pas drejt Iranit dhe Irakut, përpara se të drejtohej për në Sudan, me destinacion Gazën.

Izraelitët thonë se ngarkesa përfshinte 40 raketa M-302 tokë-tokë, të prodhuara në Siri me rreze veprimi prej 160 km, të afta për të goditur pjesën më të madhe të Izraelit nga Rripi i Gazës. Veç tyre, kishte rreth 180 predha mortaje dhe 400,000 fishekë automatiku, të shfaqura në tenda metalike në portin jugor të Eilatit.

Top Channel