SHISH në “shtetrrethim”

11/03/2014 00:00

Thellohen tensionet brenda Shërbimit Informativ Shetëror. Një ditë përpara se ai të ulej në tyezën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Visho Ajazi, kreu këtij shërbimi, ka urdhëruar Departamentin e Burimeve Njerëzore në hartimin e qarkoreje të brendshme për ndalimin e përdorimit të telefonave celularë.

Një burim pranë SHISH i tha Top-Channel se qarkorja e shpërndarë në mënyrë elektronike në rrjetin e brendshëm të komunikimit urdhëron, duke nisur prej datës 11 Mars 2014 e në vijim, të gjithë punonjësit e shërbimit në godinën qëndrore duhet të mbyllin në kasafortë të gjitha pajisjet elektronike, përfshi edhe  telefonat celularë personalë.

Ndërsa telefonat e punës gjatë orarit zyrtar, duhet t’i vendosin në tavolinën e sekretares të cdo drejtorie e cila duhet të njoftojë punonjësit sa herë bien zilet e tyre. Këtë qarkore burimi e përshkruajti si një masë ekstreme e cila pengon punën e drejtueve të SHISH pasi paralizon komunikimin me agjentët në terren.

Sipas burimit lëshimi me kaq urgjëncë e një qarkoreje e cila vendos një precedent të panjohur,  shpjegohet me frikën që ka mbërthyer drejtuesit e SHISH pas rrjedhjes se urdhërave që kanë shkaktuar polemika të forta për menaxhim politik të Shërbimit, sic ishte ai i publikuar prej Top-Channel disa ditë më parë.

Ky urdhër i nisur nga Visho Ajazi përfshin edhe inspektoren e Kryemiministrit në SHISH, Suela Bedeni. Për këtë urdhër të fundit burimi pranë SHISH deklaroi se është njoftuar menjëherë, kryeministri Edi Rama sikurse edhe kreu Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Spartak Braho.

Kontaktuar prej Top-Channel zoti Braho tha se është në dijeni të qarkores të cilën e quajti si një situatë jo normale.

“Pas rrjedhjes së informacioneve nga ky institucion, gjë për të cilën drejtuesit e SHISH përgjegjësinë s’kanë përse ta kërkojnë tek media, por tek vetja, ata, thekson Braho, janë mbërthyer nga sindroma e dyshimit dhe e frikës ndaj kujtdo pjesëtari të përfshirë aty si punonjës legal, për të zbuluar armiqtë e mundshëm që nxjerrin, jo vetëm të ashtuquajtura sekrete, por edhe veprimet e paligjshme të drejtuesve të SHISH”.

Top Channel