Kolorado mbledh taksat e marijuanës

11/03/2014 00:00

Shteti amerikan i Kolorados ka mbledhur 2 milionë dollarë në taksa nga legalizimi i bërë së fundmi i biznesit të marijuanës.

Kolorado u bë shteti i parë amerikan që legalizoi tregtimin e shitjes së kanabisit në vitin 2012 dhe më 1 janar 2014 atje u hapën dyqanet e para.

Në total 59 kompani tregtare shlyen detyrimet tatimore pas shitjeve që arritën në 14 milionë dollarë. Në tërësi, shteti mblodhi një total prej 3.5 milionë dollarësh në taksa nëse përfshihen edhe kompanitë që menaxhojnë marijuanën e përdorur për qëllime mjekësore.

Paratë pritet të përdoren për shërbimet e trajtimit të të rinjve nga substancat abuzuese dhe për shëndetin publik, në bazë të një plani të propozuar nga guvernatori John Hickenlooper.

Shumë shtete të tjera amerikane po i mbikëqyrin me vëmendje shifrat e regjistruara në Kolorado. Shteti i Uashingtonit pritet të prezantojë legalizimin e shitjes së drogës së lehtë më vonë gjatë vitit.

Shumica e të ardhurave nga taksat në Kolorado vijnë nga kompani me bazë në qytetin e Denverit. Së fundmi, presidenti Barack Obama deklaroi se marijuana nuk ishte më e rrezikshme se alkooli, edhe pse paralajmëroi se të dyja lëndët nuk janë të rekomandueshme.

Megjithatë, ai ka udhëzuar Departamentin e Drejtësisë që të ndalojë ndjekjen penale të bankave që bëjnë biznes me firmat që tregtojnë kanabis. Aktualisht, 20 shtete amerikane, përfshirë këtu Uashington DC, lejojnë shitjen e marijuanës mjekësore.

Top Channel