Japoni, 3 vjet nga katastrofa e Fukushimës

11/03/2014 00:00

Kanë kaluar tre vjet nga katastrofa që goditi Japoninë më 11 mars 2011, kur një tërmet me fuqi 9 ballë shkaktoi një valë 11 m të lartë që rrafshoi gjithçka që i doli përpara dhe çoi në shkatërrimin e çentralit bërthamor të Fukushimës.

Rreth 18 mijë persona, të vdekur e të humbur, mijëra ndërtesa të shkatërruara, 160 mijë të pastrehë dhe toka e helmuar nga radioaktiviteti në një rreze prej 30 kilometrash nga çentrali ishin pasojat e tmerrshme të atij tsunami.

Në ditën e përkujtimeve, zjarrfikësit dhe agjentët e policisë kanë mbajtur një minutë heshtje në lokalitetin Namie, në afërsi të Fukushimës.

Ndërkohë, njerëz të thjeshtë kanë bërë homazhe në plazhin Kitaizumi, po në prefekturën e Fukushimës, duke hedhur buqeta me lule në det në kujtim të viktimave të katastrofës.

Ndërsa në Tokio, përpara selisë së Ministrisë së Ekonomisë është mbajtur protesta e radhës kundër energjisë bërthamore, që ka kulmuar në orën 14:46 me orën lokale (06:46 me orën tonë), kur u regjistrua dhe tërmeti fatal.

Në zonat përreth katastrofës, si për shembull në qytetin Korijama, jeta rrjedh thuajse normale, edhe pse në shumë zona të tij njerëzve u sugjerohet të mos kalojnë.

Më të cënuarit janë fëmijët, që nuk luajnë në ambjent të hapur prej tre vjetësh. Kjo, pasi janë rritur në mënyrë alarmante tumoret në tiroide. Për rrjedhojë, nënat i mbulojnë me maska kur dalin nga shtëpia dhe me çadra plastike kur bie shi.

Gjithashtu, për të miturit janë ndërtuar salla lojrash të mbyllura, ku ata mund të kalojnë kohën e lirë. Nga makthi atomik, përpara stacionit të trenit të Korijamës, pak KM në perëndim të impiantit të Fukushimës, është vendosur një matës i radioaktivitetit.

Top Channel