Kina për avionin e zhdukur

10/03/2014 00:00

E bindur se Malajzia nuk po bën sa duhet për gjetjen e avionit të zhdukur të shtunën, Kina i kërkoi autoriteteve të këtij vendi të shtojnë përpjekjet për zgjidhjen e misterit që rrethon avionin e pasagjerëve të “Malaysia Airlines”.

Nëntë shtete janë përfshirë në operacionin gjigand të kërkim-shpëtimit të nisur prej tre ditësh tashmë. Megjithatë, nga Boingu 777 me 239 persona në bord, shumica e të cilëve kinezë, nuk ka ende asnjë shenjë.

Ekipet vjetnameze të shpëtimit kërkuan përgjatë gjithë natës, por mëngjesi tregoi se pjesët e diktuara në ujë mbrëmjen e së djelës nuk i përkisnin avionit të zhdukur siç u supozua në fillim.

E njëjta gjë vlen edhe për njollat e vajit, të cilat gjithashtu nuk kanë asnjë lidhje me fluturimin MH370. Zyrtarët nuk dinë të thonë se çfarë shkoi keq: moti ishte i qëndrueshëm, piloti me një eksperiencë pune 30-vjeçare, çdo gjë në parametrat e duhur.

Në këtë pikë, hetuesit po shqyrtojnë të gjitha pistat e mundshme, përfshirë atë të një sulmi terrorist. Agjenci të anti-terrorit dhe Byroja Federale e Hetimit janë përfshirë në përpjekjet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të mistershme.

Autoritetet malajziane e kanë identifikuar njërin prej dy burrave që udhëtonin me pasaporta të vjedhura në avionin e nisur nga Kuala Lumpuri drejt Pekinit. Ndonëse nuk mund ta bëjnë publik identitetin e tij, ata thanë se personi në fjalë nuk është shtetas i Malajzisë.

Interpoli nga ana tjetër konfirmoi se këta dy pasagjerë udhëtonin me pasaporta italiane dhe austriake, të vjedhura në Tajlandë një vit më parë dhe nuk janë aziatikë.

Për ekspertët, prania në avion e dy udhëtarëve me pasaporta të vjedhura përbën shkelje të sigurisë vërtetë, por nga ana tjetër nuk është një fenomen i panjohur e mund të lidhet edhe me emigracionin e paligjshëm.

Një ditë më parë, zyrtarët që hetojnë zhdukjen e papritur të avionit deklaruan, duke iu referuar të dhënave të radarëve, se mjeti mund të jetë kthyer prapa në mënyrë të beftë e të pashpjegueshme, por pa ofruar sidoqoftë hollësi mbi drejtimin që mund të ketë marrë Boingu pas këtij ndryshimi të kursit, apo distancën që ka arritur të përshkojë.

Top Channel