Lamtumira për Ferdinand Ponin

09/03/2014 00:00

Partisë Demokratike do t’i duhet një kohë e gjatë për të zëvendësuar Ferdinad Ponin me një njeri po aq të aftë dhe energjik, që parashikonte, analizonte dhe u jepte zgjidhje efikase cështjeve shumë të rëndësishme, garave elektorale dhe atyre të pushtetit vendor, ndërsa familja e tij ka pësuar të shtunën pasdite një humbje të pazëvendësueshme.

Megjithëse u nda papritur dhe shumë shpejt nga jeta, në moshën 49-vjecare, Ferdinand Poni ndërtoi një karrierë intensive politike, si përfaqësues i Partise Demokratike në poste të rëndësishme në pushtetin qendror dhe atë lokal.

Gjatë 8 viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike ai mbajti postin e Zëvendësministrit të Brendshem për Cështjet e Pushtetit Lokal, si dhe ishte kryetar i Këshilltareve Demokratë në Bashkinë e Tiranës.

Për cilësitë e tij politike dhe profesionale, të gjithë flasin me nderim dhe respekt në ditën kur i japin Ferdinand Ponit lamtumirën e fundit.

Sali Berisha, ish-kryetar i Partisë Demokratike: Ferdinand Poni është autori i modernizimit të sistemit të identifikimit të shqiptarëve duke vendosur me një përkushtim të madh sistemin më modern të kohës. Ai ishte një zë i fuqishëm, një zë i ditur dhe vërtet u largua nga ne shumë para kohe, por ka lënë një trashëgimi që do të mbahet mend gjithmonë.

Aldrin Dalipi: Kryetar i Këshillit Bashkiak, Tiranë:
Një moment i dhimbshëm për të gjithë ne kolegët. Qeverisja vendore ka humbur një përfaqësues shumë të mirë të saj, një zë të fortë, një zë që gjithmonë merrej në konsideratë për argumentat e tij dhe personalisht e kam vlerësuar gjithmonë për dëshirën e tij për të dialoguar dhe për t’i zgjidhur gjërat me dialog. Ishte një zë që do i mungojë të gjithëve dhe një përfaqësues i shkëlqyer i qeverisjes vendore.

Ferdinand Poni u përcoll me nderime nga shumë qytetarë të Tiranës, mes të cilëve kishte gjetur edhe miqësinë e tij më të ngushtë.

Por sic thotë kryetari i Bashkise së Tiranës, Lulzim Basha, Tiranës dhe pushtetit lokal në Shqipëri do t’i mungojë gjatë një reformator dhe një avokat i shkëlqyer i autonomisë lokale.

“Na ka ikur kapiteni i pushtetit lokal. Kemi humbur kryetarin demokrat në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit, zërin e fortë të interesit qytetar, por që për të njëjtat interesa dinte të gjente zërin e urtë të kompromisit. I ciltër, i drejtpërdrejtë dhe buçitës por edhe i ndjeshëm, me zemër të madhe dhe të bardhë, Ferdi do të në mungojë të gjithëve! Lamtumirë mik i dashur! U prehsh në paqe!”, tha në fjalën e tij, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Top Channel