Autokolona ruse në Krime

09/03/2014 00:00

Një autokolonë automjetesh të ushtrisë ruse ka hyrë në një bazë pranë kryeqendrës së Krimesë, Simferopol.

Reporterët, që ndoqën lëvizjen e saj, thonë se autokolona kishte çisterna nafte, tetë makina të blinduara dhe dy ambulanca.

Rreshti i makinave hyri në një fushë aviacioni nën flamurin rus. Rusia mohon të ketë trupa në Krime, përveç forcave të rregullta të dislokuara në kuadër të Flotës së Detit të Zi, në Krime. Por, edhe pse trupat nuk kishin simbole ushtarake, dëshmitarët thonë se dukej qartë që ishin rusë.

Më herët, të shtëna paralajmëruese u dëgjuan, kur forca pro-Moskës nuk pranuan të lejonin hyrjen e një ekipi vëzhguesish të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, në Krime. Është dita e tretë radhazi, që ekipit të monitoruesve i pengohet hyrja në rajon.

Vetëm një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara e paralajmëruan Rusinë se çdo lëvizje për aneksimin e Krimesë do t’i mbyllte derën diplomacisë.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i tha homologut rus Sergei Lavrov se Krimeja është pjesë e Ukrainës dhe Moska duhet ta shmangë përshkallëzimin ushtarak.

Shefi i diplomacisë ruse e bëri të qartë mendimin e tij se, kriza e Ukrainës “është krijuar artificialisht për qëllime gjeopolitike dhe asgjë tjetër”. Moska, sipas tij, ka kontaktuar me qeverinë e përkohshme ukrainase, por Kievi nuk lëviz nga pozicioni i tij.

“Ne jemi të gatshëm për vazhdimin e dialogut me Perëndimin, me kushtin që ai të jetë i ndershëm; diskutimet të zhvillohen si mes partnerësh dhe; mbi të gjitha, të mos ketë asnjë përpjekje për të na bërë të dukemi si palë në këtë konflikt. Nuk ishim ne, që e krijuam këtë krizë”, tha ministri i Jashtëm rus, Lavrov.

Përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës vazhdojnë, e në kuadër të tyre, presidenti Obama pati të shtunën biseda individuale me kryeministrin britanik, David Cameron; kreun e qeverisë italiane, Matteo Renzi; dhe presidentin francez, Francois Hollande.

Në deklaratën e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë thuhet se liderët përforcuan edhe një herë shqetësimin e thellë, që i ka shkaktuar shkelja e qartë e ligjit ndërkombëtar nga ana e Rusisë dhe ripërsëritën mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Top Channel