Egjipt, arrestohen 47 “vëllezër”

08/03/2014 00:00

Ministria e Brendshme në Egjipt ka njoftuar se 47 mbështetës të Vllazërisë Myslimane janë arrestuar të premten pas lutjeve të përjavshme.

Sipas njoftimit, arrestimet janë bërë në rajone të ndryshme të vendit, gjatë manifestimeve të organizuara nga Vllazëria.

Gjashtë nga të arrestuarit kishin me vete armë zjarri, ndërkohë që janë sekuestruar edhe dy granata, një detonator dhe armë të ftohta. Gazeta lokale “El Ahram” shton se 12 veturave të policisë iu vu flaka nga protestuesit.

Një ditë më parë, Arabia Saudite e cilësoi Vllazërinë Myslimane një organizatë terroriste. Prej kohësh Arabia Saudite e ka cilësuar ideologjinë islamike dhe populiste të këtij grupi si një kërcënim serioz. Analistët thonë se doktrinat konservative sunite të Vllazërisë shihen si një sfidë për dinastinë saudite.

Në Egjipt, ky grupim është organizuar në mënyrë të fshehtë që nga rënia e presidentit Mohamed Morsi, një anëtar i spikatur i grupit. Në dhjetor, qeveria e mbështetur nga ushtria në Kajro e cilësoi Vllazërinë si një grup terrorist.

Top Channel