Dita Ndërkombëtare e Gruas

08/03/2014 00:00

“Barazia për gratë është progres për të gjithë”. Kjo është tema e këtij viti në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, që festohet çdo 8 Mars në të gjithë botën.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, duke shprehur keqardhjen për diskriminimin kundër grave dhe vajzave tha se: “Aty ku burrat dhe gratë kanë të drejta të barabarta, shoqëritë përparojnë”.

Ishin mijëra gra pjesëmarrëse në tubimin në Manila, duke krijuar simbolin femëror shkencor. Bashkimi i kaq shumë grave dhe vajzave mund të shënohet edhe në Librin e Rekordeve Guinnes.

Organizatorët e marshimit në kryeqytetin e Filipineve thanë se, “qëllimi është krijimi i një ambienti që gratë të ndihen edhe më mirë në atë që bëjnë, sepse në këtë mënyrë ato mund të ndihmojnë në rritjen e mirëqënies së tyre, familjeve dhe të bashkësive ku bëjnë pjesë”.

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine La Garde, përmes një videoje të publikuar në Internet tha: “Gratë bëjnë dallimin, gratë sjellin vlera, kontribuojnë në ekonomi dhe ato kanë një rëndësi të stërmadhe kur flitet për t’u përqendruar tek vlerat, tek parimet dhe veçanërisht për të përhapur premtimin e tyre”.

Sheshi “Pavarësia” në Kiev, arenë e protestave anti-qeveritare në Ukrainë, u shndërrua në një skenë reflektimi të shtunën, Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Megjithëse pjesa më e madhe e protestuesve ishin burra, edhe gratë shprehën revoltën e tyre. Mes viktimave ishte edhe një grua.

Në Krime, gratë protestuan kundër pranisë ushtarake të Rusisë. Aktivistët e grupit “Gratë për paqen” kanë zhvilluar protesta të përditshme që prej ditës kur Parlamenti i Krimesë votoi për referendumin e 16 marsit, për t’u shkëputur nga Ukraina dhe për t’iu bashkuar Rusisë.

Ndërsa në Damask, gratë kërkuan t’i jepet fund luftës në vendin e tyre. Gjatë konfliktit 3-vjeçar atje kanë humbur jeten 150 mijë persona, kryesisht gra dhe fëmijë.

Top Channel