Tirana dënon ndërhyrjen e Rusisë

07/03/2014 00:00

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e shoqëruar edhe nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë është paraqitur në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit pas një kërkese të bërë një javë më parë nga deputeti socialist Ben Blushi për qëndrimin e shtetit shqiptar ndaj krizës në Ukrainë.

Mbledhja me dyer të mbyllura është paraprirë nga një deklaratë e shkurtër për mediat e numrit një të mbrotjes. Qeveria shqiptare, tha Kodheli, dënon ndërhyrjen ushtarake të Federatës Ruse në Ukrainë në kundërshtim me të drejten ndërkombëtare dhe në shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të këtij vendi, qëndrim tha ajo, i artikuluar përmes Ministrisë së Jashtme.

“Jemi pro sovranitetit dhe integritetit territorial dhe unitetit të Ukrainës si dhe mbështesim të drejtën e popullit ukrainas për të përcaktuar të ardhmen e tij pa ndërhyrje nga jashtë”, tha ministrja Kodheli.

Për kryetaren e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade shteti shqiptar ka një qendrim të unifikuar përkrah Aleancës dhe partnerëve strategjikë ndërkombëtar, si SHBA.

“Vlerësojmë punën bën Ministria e Punëve të Jashtme, por edhe gjitha institucionet e shtetit shqiptar në ndjekje të situatës. Vlerësojmë përpjekjet që bëjnë të gjitha organizmat euro-atlantike për gjetjen e një zgjidhjeje me mjete diplomatike”, tha kryetarja e Komisionit, Arta Dade.

Megjithatë, as në një rast si ky politika shqiptare nuk është njëzëri. Opozita përmes Aldo Bumçit ngriti pikëpyetjen përse nuk është shprehur ende Kryeministri Edi Rama dhe se Ministria e Jashtme në deklaratat e saj ka qenë jo e qartë në dënimin e agresionit rus.

“Instrumentat të cilat diskutohen janë instrumenta kryesisht diplomatikë dhe politikë dhe për këtë arsye duhet të kishte një paraqitje të Ministrit të Jashtëm. Kërkesa ishte bërë ishte bërë për Ministren e Mbrojtjes, që mbuloi fushën që mbulon Ministria e Mbrojtjes. Por pyetja është kjo: Pse nuk është shprehur ende Kryeministri shqiptar për një cështje kaq të rëndësishme të sigurisë botërore që prek edhe rajonin tonë, edhe Ballkanin, Kosovën dhe nëse unë mund të kuptoj vende të tjera të rajonit që kanë lidhje të ngushta me Rusinë dhe nuk shprehen në nivelet më të larta, nuk kuptoj pse nuk shprehet Kryeministri shqiptar për të dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës?”, tha zoti Bumçi.

Pyetjes së gazetares së Top Channel nëse me këtë pretendim opozita aludonte për një qasje të re të Tiranës ndaj Rusisë, deputeti Bumçi iu përgjigj duke thënë:

“Unë nuk po aludoj, unë po nënvizoj fakte. Fakti që Kryeministri nuk është shprehur është një fakt.

Top Channel