Juncker, kandidati i PPE

07/03/2014 23:15

Partia Popullore Europiane zgjodhi Jean-Claude Juncker, si kandidatin e saj për President të Komisionit Europian.

Juncker mori mbështetjen e Kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe Kristian-Demokratëve gjermanë. Ai mundi në këtë garë, me 382 vota, kundërshtarin Michel Barnier, Komisionerin për Tregun e Brendshëm dhe Shërbimin, që mundi të sigurojë 245 vota, në Kongresin që u zhvillua në Dublin.

Ish-kryeministri i Luksemburgut u zotua se “do të ndërtojë ura” në një rajon, që – siç tha ai – është tërësisht i ndarë.

PPE, partia e qendrës së djathtë është më e madhja në politikën europiane. Partia e dytë, ajo Social-Demokrate zgjodhi si kandidat të sajin, gjermanin Martin Schulz, presidentin aktual të Parlamentit Europian.

Secili nga grupet, që do të sigurojë shumicën e deputetëve nga zgjedhjet e Majit, do të marrë Presidencën e Komisionit Europian. Më pas, zgjedhja duhet të marrë aprovimin e udhëheqësve të Bashkimit Europian.

Presidenti i Komisionit Europian do të zëvendësojë Jose Manuel Barroso, i cili e mban postin prej vitit 2004.

Top Channel