Plot 100 vite më parë, pikërisht më 7 mars të vitit 1914, në portin e Durrësit mbërriti Princ Vilhelm Von Vied.
E gjithë paria e shtetit shqiptar në ato vite ishte mbledhur pranë
qytetit bregdetar për të pritur princin gjerman, të cilit do t’i duhej
të përballej me zgjidhjen e tre detyrave të rëndësishme për Shqipërinë:
organizimin e administratës, problemin e financave dhe çështjen epirote.
Por ardhja e Vidit në Shqipëri lidhet edhe me njohjen e Shqipërisë si shtet nga gjashtë fuqitë e mëdha. Studiuesi Artan Lame ndalet në rëndësinë historike të njohjes së shtetit shqiptar nga fuqitë e mëdha, dy vjet pas shpalljes së pavarësisë.
“Akti i jashtëzakonshëm i shpalljes së pavarësisë mbetej një akt i brendshëm i vullnetit të shqiptarëve për t’u ndarë nga Perandoria Osmane. Njohja ishte rëndësia e këtij akti dhe ardhja e princ Vidit konfirmoi njohjen, që u pasua nga njohja e qeverisë së parë shqiptare të Vidit, me kryeministër Turham Pashë Përmetin”, deklaron Lame.
Por, edhe pse kanë kaluar 100 vite nga njohja e Shqipërisë si shtet nga fuqitë e mëdha, historia, por edhe politika shqiptare pak ka ndryshuar. Ashtu si atëherë, edhe sot ne e kërkojmë të drejtën pranë ndërkombëtarëve, duke pranuar edhe marrëveshje aspak të drejta për Shqipërinë.
“Si atëherë, kur elitat politike përplaseshin me njëra-tjetrën dhe ishin gati të shkatërronin “godinën” e parë që ishte ngritur për interesat e tyre, edhe sot elitat politike janë gati ta shkatërrojë vendin për interesat e tyre. Edhe sot elitat politike qahen e denoncojnë tek ndërkombëtarët për të qëna e të paqëna. Është e rëndë të shohësh sa pak ka ndërtuar politika shqiptare në këto 100 vjet”, nënvizon Lame.
Në fillimet e krijimit të shtetit shqiptar na kanë cilësuar si fëmijët e Ballkanit, një emërtim që edhe sot gjen vend herë pas here.
Top Channel