“Shell” kërkon mosndarjen e Skocisë

06/03/2014 00:00

Shefi ekzekutiv i kompanisë së naftës “Shell” ka bërë të ditur se do të donte që Skocia të “mbetet pjesë e Britanisë së Madhe”.

Duke adresuar pritjet vjetore të kompanisë në Londër, ditën e mërkurë, Ben van Beurden tha se çmon “vazhdimësinë dhe stabilitetin” e Mbretërisë së Bashkuar.

Ai shtoi se kompania ka arritur këtë përfundim, për të njëjtat arsye që e bëjnë “Shell”-in të mbështesë qëndrimin e Britanisë “brenda Bashkimit Europian”.

Qeveria skoceze tha se një referendum mbi BE-në do të përbënte “një risk real”, me të cilin do të përballej sektori i naftës dhe gazit natyror. Javën e kaluar, “Shell” priti kabinetin e Britanisë së Madhe në selinë e saj në Aberdeen.

Në atë kohë, lideri i “Shell” në Britaninë e Madhe, Ed Daniels, tha se debati për pavarësinë është “një çështje e popullit skocez”, dhe se “do të ishte e gabuar” që “Shell” të ndërhynte.

Në fjalimin e tij, Van Beurden tha se, një nga “shumë gjërat” që kompania vlerëson te Britania e Madhe është “vazhdimësia dhe stabiliteti” që ky vend të ofron. Ai shtoi: “Po, ne jemi duke operuar në mjedise të pasigurta politike e ekonomike. Por, nëse do na kërkohej të zgjidhnim, ne duam të dimë sa më saktë që të jetë e mundur se çfarë kushtesh investimi do të kemi këtu e 10 apo 20 vjet më vonë. Kjo është arsyeja kryesore, se përse ne duam që Britania e Madhe të ruajë vendin e saj të ngritur prej kohësh në zemër të Bashkimit Europian, pasi na siguron më shumë stabilitet dhe siguri për investimet tona”.

“Por, si një biznes global, që i ka hedhur këmbët fuqishëm në të dy anët e lumit, ne besojmë gjithashtu se edhe interesat kombëtare të Britanisë së Madhe do të jenë edhe më të realizueshme, nëse ruhen lidhjet e ngushta me Europën. Kontinenti po përballet me sfida afatmesme, jo vetëm sa i përket konkurrencës ekonomike. Por, ne besojmë se këto sfida janë më të përballueshme, dhe me përfitueshmëri për të gjithë, nëse zëri i Britanisë do të shprehet e do të dëgjohet fuqishëm brenda Bashkimit Europian”.

“Këto janë arsyet se përse do të donim ta shihnim Skocinë të mbetej pjesë e Mbretërisë së Bashkuar. ‘Shell’ ka një histori të gjatë të pjesëmarrjes në Detin e Veriut, por edhe në Skoci, ndaj dhe vazhdojmë të investojmë më shumë se 1 miliard paund çdo vit këtej”.

Top Channel