Clinton krahason Putin me Hitlerin, por…

06/03/2014 00:00

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, kërkoi të shpjegonte, gjatë së mërkurës, komentet e saj, sipas të cilave krahasohej ndërhyrja ushtarake e Vladimir Putin në Ukrainë me agresionin europian të Adolf Hitler përpara Luftës së Dytë Botërore.

Ish-Sekretarja e Shtetit tha për një audiencë në Los Angeles se komentet e saj, gjatë ditës së martë, ishin një përpjekje për “njerëzit që kanë një perspektivë të vogël historike”.

“Nuk dua ta bëj këtë krahasim me siguri, por dua të rekomandoj se, ndoshta, ne duhet të mësojmë nga të tilla taktika, të cilat janë përdorur edhe më parë”, tha Clinton gjatë një seance me pyetje-përgjigje me Lynn Vavreck, një profesor të Shkencave Politike dhe Studimeve mbi Komunikimin, në UCLA.

“Ajo çfarë thashë dje (të martën) është që: pretendimet e presidentit Putin apo edhe të rusëve të tjerë se ‘ata kishin mësyrë në Krime e ndoshta do të futeshin edhe në lindje të Ukrainës, sepse duhet të mbrojnë minoritetet ruse’… është një reminishencë e pretendimeve të bëra kohë më parë, në vitet 1930, kur Gjermania e nazistëve fliste se si ata duhet të mbronin minoritetet gjermane në Poloni, në Çekosllovaki apo kudo tjetër në Europë”.

Në përgjigjen e saj, ndaj pyetjes së Vavreck, Clinton nuk përdori emrin e Hitlerit, por në vend të tij arriti të përmendte frazën “Gjermania nën diktatin e nazistëve”.

Komentet fillestare të Clinton-it në fondacionin “Long Beach”, erdhën pas valës së tensioneve në gadishullin ukrainas të Krimesë.

Zyrtarët ukrainas dhe diplomatët perëndimorë akuzojnë Rusinë se ka dërguar mijëra trupa në rajon, një pretendim që Rusia e ka mohuar, edhe pse ka theksuar se rezervon të drejtën për të përdorur forcën ushtarake atje, nëse do jetë e domosdoshme, për të mbrojtur rusët etnikë.

“Tashmë, nëse kjo tingëllon e njohur, është pikërisht ajo çfarë bëri Hitleri në vitet ’30”, tha Clinton gjatë së martës, sipas “Press-Telegram”, një e përditshme e Long Beach, që kishte një reporter në shfaqjen me dyer të mbyllura.

“Për të gjithë gjermanët që ishin… gjermanë etnikë, gjermanë nga prejardhja, të cilët gjendeshin në vende si Çekosllovakia, Rumania etj., Hitleri thoshte se nuk trajtohen siç duhet. Duhet të shkoj të mbroj popullin tim dhe kjo është ajo që bëri nervoz të gjithë”, citohet të ketë thënë Clinton.

Duke e përshkruar Putin-in, Clinton tha se “kur sheh nga Ukraina, ai sheh atje një pjesë që beson se nga natyra është pjesë e Nënës Rusi”.

Hitleri e justifikoi invazionin ndaj vendeve fqinje duke thënë se ishin përpjekje për të mbrojtur gjermanët etnikë. Hitleri aneksoi fqinjët e Austrisë dhe Sudetenland, rajon në ish-Çekosllovaki, në vitin 1938, një vit përpara se të ndërhynte edhe në Poloni, gjë që nxiti edhe nisjen e Luftës së Dytë Botërore.

Top Channel