Bashkia e Tiranës akuzon Ramën

06/03/2014 00:00

Bashkia e Tiranës akuzoi të enjten kryeministrin Rama se ka urdhëruar bllokimin e punës për bulevardin e ri në kryeqytet.

Nënkryetari Eno Bozdo tha se kjo vjen vetëm një ditë pas shpalljes anti-kushtetuese të vendimit të qeverisë për zgjerim të kompetencave të INUK nga Gjykata Kushtetuese.

“Vetëm 1 ditë pas shpalljes anti-kushtetues të vendimit të qeverisë për zgjerimin e kompetencave të INUK nga Gjykata Kushtetuese, Edi Rama ka urdhëruar mercenarët e tij të tritolit të bllokojnë punimet në bulevardin e ri. Kjo është shkelja e radhës që Edi Rama i bën një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Rama është në luftë me bashkinë. I bëjmë thirrje të heqë dorë nga praktikat e tritolit”, deklaroi Bozdo.

Ndërkohë, me anë të një njoftimi për shtyp, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka njoftuar pezullimin e punimeve në zonën e ndërtimit të bulevardit të ri.

“Bazuar në ankesat e shumta të qytetarëve të Tiranës që përfshihen në zonën e ndërtimit të bulevardit të ri, të paraqitura në Prefekturën e Tiranës, INUK pezulloi punimet deri në verifikimin e dokumentacionit tekniko-ligjor, në të mirë të sqarimit të situatës”, thuhet në njoftimin për shtyp.

INUK garanton shqyrtimin me korrektësi dhe profesionalizëm të çështjes, në përputhje me legjislacionin e Republikës së Shqipërisë – mbyllet njoftimi.

Top Channel