6 muajt e maxhorancës së majtë, Ilir Meta në Top Story

06/03/2014 00:00

Në ditën në të cilën Komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fule mbërriti në Tiranë, ku e vlerësoi vendin tonë edhe më pranë marrjes së statusit kandidat në muajin Qershor, në emisionin e përjavshëm të Sokol Ballës në “Top-Story” mbërriti kreu i një partie që e ka vendosur integrimin në përparësinë e të gjitha përparësive.

Për të folur për këtë vizitë, për domethënien e saj, por edhe për shumë debate të tjera politike të muajve të fundit, si dhe për të komentuar raportet e fuqisë brenda koalicionit qeverisës, në “Top-Channel” mbërriti zoti Ilir Meta.

Sokol Balla – Zoti Meta, kanë kaluar disa muaj nga refuzimi i qeverisë ndaj armëve kimike. Ju atëherë thatë që duhet të mbajmë përgjegjësi saç janë shpatullat tona, por sot statusi kandidat mund të ishte marrë nëse do të kishim vendosur ndryshe. Ndaj, ju bëj pyetje nëse jeni penduar?

Ilir Meta – Nuk kemi të bëjmë me këtë histori të ngjarjeve në retrospektivë dhe ky është këndvështrimi juaj ngacmues. E gjithë ecuria e atij debati që kaloi shumë limite dhe u kthye në një spekulim të jashtëzakonshëm dhe të dënueshëm për ne politikanët, natyrisht që në fund të fundit ishte një tregues i një etape të re, ku pas 23 Qershorit është vendosur një shoqëri më e hapur dhe demokratike, ku çështjet e rëndësishme që kanë të bëjnë me vetndërgjegjësimin e qytetarëve për problemet të cilat ata mendojnë se kanë të bëjnë me të ardhmen e tyre, t’i nënshtrojmë një gjykimi shumë më të gjërë.

Sokol Balla – Pra, vazhdoni të mendoni se kemi të bëjmë me një vendim të drejtë?

Ilir Meta – Asnjëherë se kam lexuar dhe konsideruar ndryshe këtë vendim, pasi Shqipëria ka qenë e përgjegjshme, e gatshme dhe me vullnet për të kontribuar për paqen kudo që i kërkohet, pasi si komb kemi fituar shumë nga angazhimi i të tjerëve për paqen, por vlerësimi i rrethanave na bën të mendojmë që u treguam realistë.

Sokol Balla – A po paguajmë dhe a do të paguajmë për këtë vendim në raportet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Ilir Meta – SHBA është shumë e madhe për t’u marrë me inate të vogla që për mua nuk ekzistojnë. Partneriteti, aleanca jonë është shumë solide, ka kaluar kohë të vështira dhe ata kanë shprehur mirëkuptimin për vendimin që u mor nga qeveria shqiptare.

Sokol Balla – Zoti Meta, kryeministri u akuzua se nuk e kishte manaxhuar mirë situatëm nga pikëpamja e komunikimit public. A do të ishte ndryshe rezultati sikur komunikimi juaj me kryeministrin të ishte më transparent?

Ilir Meta – Ne kemi pasur gjithmonë një komunikim konstruktiv dhe bashkëpunues, në kushtet e rrethanat për vlerësimin e kapaciteteve të vendit tonë ku kanë ndodhur edhe fatkeqësi për shkak të mungesës së kapaciteteve, pa dyshim që ky ishte vendimi më realist që mund të merrej. Nuk duhet të flasim me sikur, pasi kemi dëgjuar politikanë që dolën në shesh dhe ishin gati të frymëzonin çdo marrëzi dhe më pas, pas vendimit të qeverisë sa nuk po dilnin për të bërë të kundërtën.

Sokol Balla – Zoti Meta, si është komunikimi juaj sot me kryeministrin?

Ilir Meta
– Ne diskutojmë ato gjëra që duhet të konsultohemi. Bashkëpunimi ynë është shumë kontriktiv dhe bashkëpunues.

Sokol Balla – Duket sikur herë pas hera ka veprime, si qëndrimi juaj në prag të miratimit të buxhetit për çështjen e fasonëve apo mosvotimi në komisionin parlamentar kundër disa kandidaturave që PS votoi kundër. Pavarësisht se jeni në një periudhë mjalti, duket se disa divergjenca ka pasur.

Ilir Meta – Nuk është një periudhë mjalti. Është një periudhë e marrjes së përbashkët të përgjegjësive, në emër të forcave politike dhe koalicionit, e gjithë kjo periudhë ka treguar se ky është një koalicion tepër solid e funksionues. Rastet që përmendët kanë të bëjnë me angazhimin e qartë të LSI-së ndaj fasonëve dhe shqetësimin që ka të bëjë jo vetëm më mbrojtjen e këtij biznesi, por edhe me çështjen e punësimit, pasi është biznesi me punësimin më të madh në sektorin privat, ndërsa çështja e dytë s’ka të bëjë me një divergjencë, por me qëndrime të caktuara të deputetëve të caktuar, natyrisht të koordinuar me grupin, por që janë të pranuara pasi uniteti i një partie duket në çështjet më të rëndësishme e një lloj lirie brenda partisë duhet të ekzistojë gjithmonë.

Sokol Balla – Kur i rikthehemi raportit të mazhorancës suaj me institucionet e pavarura, duket se ka pasur një sërë konfliktesh dhe pas shkarkimit të kreut të ILDKP-së, tani rrezikohet edhe kryetari i SHISH-it.

Ilir Meta – Asnjëherë s’ka pasur marrëdhënie më të mira mes një mazhorance dhe institucioneve të pavarura. Marrëdhëniet e mazhorancës e Kuvendit mendoj se kanë pësuar një hop cilësor dhe ka një raport krejt tjetër edhe me Avokatin e Popullit, një institucion shumë i rëndësishëm për të drejtat e njeriut. Mund t’iu përmend një rast tjetër, Kontrolli i Lartë i Shtetit që drejtohet nga një personalitet që dikur ka qenë ministër e deputet i PD, por bashkëpunimi është shumë i mirë e ky është një institucion që po funksionon jashtë ndikimeve partiake e jo vetëm kaq, por do e përmendja si shembull pasi edhe pse është institucioni më i lartë u auditit në vend, ka kërkuar me iniciativën e tij që të bëhet auditim i vetë Kontrollit të Lartë të Shtetit nga Parlamenti, gjë e parashikuar në ligj, por që s’ishte realizuar kurrë. Kjo tregon se ekziston vullneti i plotë i mazhorancës dhe përgjegjshmëria e drejtuesve të këtyre institucioneve për të respektuar ligjin, ekziston një harmoni në interesin e forcimit të shtetit dhe përmirësimit të këtyre institucioneve. Ka edhe raste të tjera të sukseshme, bashkëpunimi me guvernatorin, etj.

Sokol Balla – Ju thoni që nëse gjithçka gjykohet në bazë të performancës, Bujar Leskaj sot do të rivotohej në krye të KLSH?

Ilir Meta – Unë s’mund të flas në emër të mazhorancës. Por, edhe pse edhe unë vetë mund të kem pasur një paragjykim që në krye të këtij institucioni është një figurë e PD, ky është një institucion që funksionon, bashkëpunon me Kuvendin dhe njëkohësisht është një institucion që kërkon vetë auditin e tij. Kjo tregon që ka përgjegjshmëri dhe transparencë të madhe, ndaj ka një vullnet edhe për të bashkëpunuar edhe për të kontrolluar, atëherë marrëdhëniet janë shumë të mira dhe kjo është në interes të publikut.

Sokol Balla – Pse u shkarkua kreu i ILDKP-së?

Ilir Meta – Është një çështje e bërë mjaft evidente, s’ka pasur asnjë paragjykim të caktuar apo të veçantë, por ka qenë një institucion që nuk ka funksionuar. Ne jemi vënë para një fakti të kryer që i gjithë kolektivi i institucionit, të gjithë inspektorët iu drejtuan publikisht institucioneve më të larta për problemet dhe mungesën e funksionimit të këtij institucioni e natyrisht, Kuvendi si institucioni që e ka zgjedhur e ka për detyrë e për përgjegjësi që të bëjë verifikime dhe të bëjë kontrolle të këtij institucioni dhe më thoni mua si mund të shpjegohet që drejtuesi i një institucioni të zgjedhur nga parlamenti, të refuzojë të paraqitet në Kuvend jo një herë, por të paktën katër herë, ndërsa bëri deklarata tërësisht joprofesionale dhe konstruktive. Sa i takon efikasitetit, mjafton t’i referohemi raportit të fundit të Prokurorisë që ILDKP ka bërë 0 kallëzime penale në 2013-n, ndërkohë që janë me mijëra deklarime të pasurive të zyrtarëve të lartë. Kur një institucion futet në krizë, Kuvendi ka përgjegjësi të zgjidhë këtë situatë.

Sokol Balla – Si e gjykoni veprimtarinë e Shërbimeve Informative?

Ilir Meta – Nuk mund të bëj një gjykim të plotë dhe objektiv, pasi nuk kam informacionin e duhur dhe nuk është detyra ime si kryetar i kuvendit, ndaj i takon kryeministrit që e ka direkt nën kontroll dhe Komisionit të Sigurisë Kombëtare të nxjerrin vlerësime.

Sokol Balla – Ka patur raporte që pohojnë angazhimin e SHISH në veprimtari me sfond politik, si urdhëresa e famshme për të hetuar drejtuesit e policisë.

Ilir Meta – Nuk mund të nxitohem mbi këtë raport, sepse mund të jetë kërkuar nga kryeministri, ministri i Brendshëm, nga një institucion tjetër e nuk e di, por nuk është detyra ime të verifikoj këtë gjë, ndoshta Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare do ta ketë pjesë të aktivitetit të tij në të ardhmen. Është shumë e rëndësishme që SHISH të mos jetë pjesë e ekzekutivit dhe të mos bëhet pjesë e lojrave politike dhe të jetë një shërbim me integritet sepse ndaj është edhe një shërbim i posaçëm.

Sokol Balla – Ka një informacion që kreu i këtyre shërbimeve nuk e ka të vlefshme certifikatën e sigurisë. E fundit është certifikata që i ka dhënë qeveria e shkuar. A duhet t’ia rinoviojë kjo qeveri këtë certifikatë?

Ilir Meta – Ky është një element që duhet të zgjidhë qeveria.

Sokol Balla – Nuk keni një qëndrim si LSI ndaj kësaj? Mendoni që ky konflikt në rritje mund të ketë pasoja?

Ilir Meta – Nuk është problemi për një konflikt në rritje pasi këtu kemi të bëjmë me zbatimin ose shkeljen e ligjit, pasi s’kemi dy palë politike këtu. Duhet verifikuar nëse në këto akte zbatohet ose shkelet ligjit. Ky shërbim s’ka të drejtë të merret me politikë, por vetëm me zbatimin e ligjit.

Sokol Balla – A duhet të vendoset nën hetim aktiviteti i SHISH-it?

Ilir Meta – Kjo është një çështje që i takon qeverisë dhe Komisionit të Sigurisë Kombëtare.

Sokol Balla – Edhe vetë presidenti Nishani e konsideroi kreun e SHISH-it si nën varësinë e ekzekutivit. A duhet ta caktojë vetë kryeministri atë?

Ilir Meta – Ne kemi këtë procedurë ligjore e kushtetuese që kemi, e ky është një institucion shumë i rëndësishëm i ekzekutivit.

Sokol Balla – Do të ketë një lëvizje për shkarkimin e kreut të SHISH?

Ilir Meta – Nuk mund ta bëjmë këtë vlerësim së pari dhe së dyti, kam një respekt për ndarjen e pushteteve.

Sokol Balla – Por, LSI nuk do të kundërshtonte nëse do të kërkohej ndryshimi i kreut të SHISH?

Ilir Meta – Është përgjegjësia e kryeministrimit për të inicuar çdo lloj reforme në këtë institucion dhe çdo institucion tjetër, por unë s’mund të bëhem pre e spekulimeve.

Sokol Balla – Nëse Nishani e kundërshton këtë lëvizje?

Ilir Meta – Kjo është një çështje tjetër dhe s’dua të hyjmë në një situatë që sot vetëm mund ta paramendojmë. Mbase asgjë s’është e vërtetë nga këto që është thënë dhe çdo gjë mund të jetë bërë në përputhje me ligjin.

Sokol Balla – Por, për të verifikuar nuk duhet të hetoni?

Ilir Meta – Sigurisht, kjo është një çështje e qeverisë dhe Komisionit të Sigurisë.

Sokol Balla – Mosvotimi i kandidaturave të presidentit për gjykatën solli një reagim të ashpër të Nishanit, që akuzoi për një betejë politike ndaj tij. A ka një të tillë?

Ilir Meta – Unë jam i bindur që mazhoranca ka pasur, ka dhe do të ketë vullnetin e plotë politik për të bashkëpunuar me Presidentin e Republikës, por ky vullnet duhet të jetë i përbashkët dhe në këtë pikëpamje do të ketë dallime, por është e domosdoshme që ky të mos kthehet në një raport partiako-politik, por në një proces të përbashkët të njësimit për të sjellë standarte më të larta në funksionimin e instucioneve e sidomos në drejtësi e gjyqësor. Kjo është edhe një kërkesë e Bashkimit Europian dhe nëse shikoni të gjithë sondazhet, reformimi i sistemit të drejtësisë është ndër më të kërkuarit prej shqiptarëve.

Sokol Balla – Zoti Meta, në fakt ka një debat të madh në lidhje me KLD dhe ajo që ndodhi me Ina Ramën tregoi që elementët që e përbëjnë kanë një problem, si do zgjidhet?

Ilir Meta – Pa dyshim që problemet do të zgjidhen pasi e kërkon koha zgjidhjen e tyre dhe madje duhet të ishin vënë në rrugën e zgjidhjes kohë më parë, por fakti që kemi këto probleme nuk do të thotë që duhet të nxitohemi, pasi duhet të bëjmë një proces sa më të gjerë, sa më përfshirës, në mënyrë që ndryshimet, përmirësimet të jenë afatgjata, të qëndrueshme dhe të rrisin efikasitetin e këtij sistemi.

Sokol Balla – Zoti Meta, këtu hapet debati i vjetër për reformën në drejtësi, gjatë fushatës mazhoranca e majtë e ribashkuar dukej se kishte një plan konkret, por nuk ju dëgjojmë të flisni për reformën e famshme të shkrirjes së Gjykatës së Lartë, krijimit të Gjykatës Supreme, ka ndryshuar diçka?

Ilir Meta – Lidhur me shkrirjen e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, ajo ka qenë më shumë ide e përfaqësuesve të caktuar se sa pjesë e programit apo përparësive të mazhorancës, ashtu sikurse do të theksoja rëndësinë e reformimit të Gjykatës së Lartë, vetë funksionimin e saj, pasi është një Gjykatë që ka gjykuar me mijëra çështje, por që është për të ardhur keq, ka shumë pak vendime unifikuese që lehtësojnë zgjidhjen e shumë cështjeve të tjera e natyrisht edhe kjo do të jetë pjesë e reformës në drejtësi. Nuk do të presim që duke qenë se kemi nevojë për të ndryshuar, të bëjmë reformat me ngut, pasi kemi një sistem delikat, e kjo lëvizje duhet bërë në kushtet sa më optimale të githpërfshirjes dhe të mosbërjes së gabimeve që sjellin pasoja më pas.

Sokol Balla: Shkarkuat Zana Xhukën në kulmin e protestës së opozitës. Ishte ky vendim një provokim?

Ilir Meta:
Nuk ka asnjë lidhje me protestën. Ka qenë thjeshtë një koincidencë. Nuk ishte një provë force. Për fat të keq opozita ose lidershipi i saj reagoi në mënyrë ekstreme ndërkohë që duhet të kishin bërë autokritikë sepse ndajnë përgjigjësi për mosfunksionimin e një institucioni.

Sokol Balla: PD ju është kthyer edhe juve, vazhdimisht ka shtuar presionin ndaj jush dhe LSI. A  mund të thuhet që përpjekjet tuaja për moderimin e debatit politik po dështojnë?

Ilir Meta: Unë do jem i palodhur për të kërkuar bashkëpunim dhe do të vazhdoj të tregoj respektin tim maksimal për PD dhe partitë e tjera të opoztiës sepse kjo është detyra ime parësore si kryetar i Kuvendit, pavarëisht reagimeve të tyre. Por mendoj që do të ishte shumë mirë edhe për PD që të gjitha hapësirat që ajo si opozitë ka fituar në Kuvend, hapësira që nuk kanë qenë asnjëherë më parë për asnjë opozitë në Shqipëri, t’i shfyrtëzojë në mënyrë më racionale dhe më të mirë për të ardhmen e saj dhe punën e Kuvendit.

Sokol Balla: Megjithatë opozita ju akuzon për prerje në besë për aktin normativ të ligjit për statusin e nëpunësit civil…

Ilir Meta: Duhen vepra dhe unë jam i bindur se opozita, ose lidershipi i saj nuk e ka problemin tek xhestet, por tek mosnjohja e realitetit pas 23 qershorit dhe kjo e bën të pamundur të shikojë të gjitha hapësirat që i janë dhënë dhe që i jepen për të bashkëpunuar. Edhe për për këtë cështje opozita ka përgjegjësitë e saj, sepse në kohën që ishte në qeveri duhet të kishte përgatitur të gjitha aktet nënligjore. E vërteta është që janë shumë pak lëvizje të atyre që janë me status dhe një pjesë e tyre për shkak të reformave dhe ristrukturimit të institucioneve.

Sokol Balla: Për ju ka apo jo spastrim në administratë?

Ilir Meta: Mendoj që ndryshime ka, por nuk mund të them që ka spastrime. Ka një ekzagjerim nga ana e PD.

Sokol Balla: Ju referohem një xhesti tuaj duke lenë zotin Berisha pa limit, por me kalimin e muajve janë të shumtë ata që mendojnë që protagonizmi i Berishës në Kuvend po kthehet në bumerang për maxhorancës….

Ilir Meta: Nuk jam në një pozicion shumë komod, por mendoj që ka shumë keqkuptime. Unë e shoh si një raport grupe-grupe. Problemi nuk është se unë i jap fjalën Berishës, po grupi i PD është identifikuar me zotin Berisha, kështu që t’i heqësh fjalën Berishës është njësoj si t’i heqësh fjalën PD. Ky është një tregues i vullnetit maksimal për të përfshrië opozitën pavarësisht se si e investon ajo këtë mundësi që po i jepet, që nuk i është dhënë më parë.

Sokol Balla: Keni sumë reforma që kërkojnë konsensus të gjërë publik. Psh ajo administrative, sa do ta prisni opozitën? Pasi votat i keni.

Ilir Meta:
Ky është tjetër dallim i maxhorancës së sotme me maxhorancën e mëparëshme. Sepse në parim të gjithë kanë folur për domosdoshmërinë e reformës kur nuk kanë patur votat, ndërkohë që kjo maxhorancë i ka votat, por ka një vullnet që ta bëjë bashkë me opozitën. Në parlament ka një komision me 8 anëtarë nga secila palë dhe dy bashkëkryetarë.

Sokol Balla: Por kjo ofertë s’është pranuar…

Ilir Meta: Fakti që nuk është pranuar nuk është një përgjegjësi e maxhorancës. Shqipëria ka ndarjen administrative që në kohën e komunizmit dhe duhet të ndryshojë.

Sokol Balla: Nuk ka sfond politik për një rindarje të hartës elektorale në vend?

Ilir Meta: Nuk ka asnjë djallëzi në këtë histori, por ka transparencë maskimale ndaj jemi të hapur për konsensus. Jemi në kushtet e vullnetit të hapur për transparencë. Do ta presim ende opozitën, por ndërkohë që do të vazhdojmë me punën tonë, me takimet dhe kontaktet, me grupet e interesit, shoqërinë civile sepse është një reformë që prek të gjithë qytetarët shqiptarë.

Sokol Balla: Ju flisni për konstruktivitet dhe konsensus që ka edhe një anë tjetër të medaljes tek ata që ju votuan më 23 qershor. Nga këta mbështetësit tuaj ka një lloj frustrimi që kërkojnë reforma të mëdha. Si do e zgjidhni këtë dilemë?

Ilir Meta: Vendi  ka nevojë për reforma dhe thelbësore këto duhen bërë me konsensus, por me të drejtë ngrini pyetjen nëse opozitë nuk jep konsensus. Mund të them që këto reforma do të bëhen por pa nxitim dhe duke i dhënë legjitimitetin e duhur përmes përfshirjes së gjithë aktorëve dhe qytetarëve shqiptarë. Nëse opozita do të vetizolohet është e drejta e saj.

Sokol Balla: Ju flisni për gjithpërfshirje, por disa veprime të qeverisë, kanë anashkaluar grupet e interesit, si paketa fiskale për shembull…

Ilir Meta:
Ai ishte një rast i vecantë dhe Ministri i Financave ka argumentuar objektivisht arsyet e paketës fiskale në mungesë të konsensusit. Por kjo nuk do të ndodhë në të ardhmen.

Sokol Balla: Cështja e furgonave edhe kjo ka sjellë dhe protesta disa-ditore të tyre. Këto janë disa veprime që anashkalojnë konsultimin. Vendimi i famshëm për furgonat 8 + 1  për zbatimin e  ligjit e 1998 nxorri edhe sot para Kuvendit shoferë të furgonave. Sindikalisti Gëzim Kalaja u përmendi personalisht duke ju kërkuar që të mos zbatoni ligjin e 1998, ashtu sic bëtë kur ishit Kryeministër…

Ilir Meta: Unë mirëkuptoj shqetësimin e sindikatës dhe të zotit Kalaja, por moszbatimi kur kam qenë kryeministër nuk është arsye për të mos e zbatuar tani. Në dijeninë time qeveria ka treguar ndjeshmëir dhe fleksibilitet duke pranuar që furgonat të operojnë brenda qarqeve të caktuara si një mundësi që të kenë aktivitet ekonomik ose në rast se duan të shërbejnë si taksi të vendosin taksimetërin sepse do të shkohet drejt formalizimit të tregut, ndaj është e rëndësishme që të tregohet fleksibilitet nga dy krahët. Unë Ftoj Berishën që të qëndrojë larg kësaj cështje, sepse nuk ka nevojë për t’u politizuar kjo. T

Sokol Balla: Jeni përfolur që keni patur apo keni një komunikim normal me zotin Basha, cfarë këshilloni për të?

Ilir Meta: Nuk është koha mes kolegësh aq më tepër për të bërë këshilla publike. Unë do të dëshiroja që PD të pajtohet me zgjedhjet e 23 qershorit, të shohë drejt së ardhmes dhe të forcojë dhe rrisë kontributin e saj në integrim dhe të mos bëjë kontribut të dyfishtë, ku nga njëra anë akuzon qeverinë për dëmtim të procesit dhe nga ana tjetër kërkon të krijojë një frymë aspak pozitive sa i takon raportit të Shqipërisë me BE, që është një raport që ka vështirësi për shkak të vështirësive që ka BE me zgjerimin.

Sokol Balla: Duket se është folur që ky lloj protagonizmi i opozitës lidhet me zgjedhjet lokale të 2015 dhe zakonisht ky vit konsiderohet paralektoral. Shohim superaktivitet të emrave të maxhorancës aktuale, si Saimir Tahiri apo Erjon Velisë. Kandidatë për Bashkinë e Tiranës?

Ilir Meta: Është tepër herët për të folur për zgjedhjet vendore dhe aq më tepër për emra të vecantë. E gjithë qeveria është në aktivitet të plotë intensiv dhe varet nga transmetimi i kësaj energjie të kësaj qeverie

Sokol Balla: LSI përcaktoi në 2007 dhe 2011 fatin e Bashkisë së Tiranës, a ka këtë herë ndonjë ambicie për njeriun e saj në krye të Tiranës?

Ilir Meta: Është një temë e parakohëshme, nuk është shumë e rëndësishme, për ne e rëndësishme është mbarëvajtja e qeverisjes së vendit dhe përmirësimi i shërbimit që ofron pushteti vendor për këtë theksojmë domosdoshmërinë e reformës territoriale.

Sokol Balla: I mëshuat faktit që e majta miratoi buxhetin e propozuar nga zoti Basha në Këshillin Bashkiak?

Ilir Meta: Në të kaluarën mungesa e bashkëpunimit ka penalizuar qytetarët. Përshëndeta miratimin e buxhetit sepse është një ngjarje që kërkon vëmendje sepse në fund të fundit tregon një shembull pozitiv të vullnetit të mirë për të gjetur një zgjidhje në interes të qyteti dhe kjo duhet të funksionojë kudo, edhe në parlament, bashki dhe komuna të tjera. E përshëndeta dhe e përshëndes sërish.

Sokol Balla: Pritshmëritë ishin të mëdha, por pas 6 muajsh ka ardhur momenti i një analize?

Ilir Meta: Qeveria dhe institucionet e saj e kanë praktikë analizën të përmuajshme dhe pas kaq kohësh duket qartë që qeveria ka marrë në dorë drejtimin e vendit dhe qeverisjes. Aktualisht kemi kaluar një periudhë plot të papritura, morëm një qeverisje pa një inventar të qartë dhe financa të rrënuara për shkak të vitit elektoral dhe jemi në një situatë të qëndrueshme ekonomike dhe me shumë perspektivë. Marrëveshja me FMN u miratua me mbështetje të plotë dhe shohim rezultatet e qeverisë edhe në fushën e doganeve dhe tatimeve që kanë njohur një përmirësim domethënës dhe premtues për të ardhmen duke treguar që kjo është një qeveri që do të ecë me vendosmëri përpara.

Sokol Balla: Ju thoni që situata ekonomike është përmirësuar?

Ilir Meta: Patjetër. Nga një situatë e pasigurtë, jemi në një situatë në kontroll të plotë dhe në përputhje me parashikimet dhe programin e qeverisë.

Sokol Balla: Që një ekonomi të vihet në lëvizje, motorët e saj të vihen në lëvizje atëherë ajo duhet të krijojë vende të reja pune….Punësimi?

Ilir Meta: Dy janë objektivat: rritje ekonomike dhe punësimi. Rritja ekonomike është e sigurtë, ndoshta edhe më pozitive sa është parashikuar, më shumë se 2 përqind dhe unë personalisht shikoj punësim. Shikoj zhvillim, punësim dhe besoj që këtë do të shikojnë të gjithë në muajt që vijnë. E rëndësishme është që situata ekonomike dhe financiare është marrë nën kontroll nga qeveria e re.

Sokol Balla:  Po të flasësh me biznesin, thonë se borxhi i qeverisë është një pjesë e problemit, pjesa tjetër është borxhet e brendshme dhe tjetra është borxhet që kanë bizneset me bankat. Ata kërkojnë një tryezë me qeverinë dhe bankat për kreditë e këqia…

Ilir Meta:
Qeveria e ka në qendër të vëmendjes situatën me biznesin dhe një nga arsyet kryesore me FMN kishte të bënte më angazhimet e qeverisë për të njohur këtë borxh që injorohej nga qeveria e mëparëshme dhe jam i sigurtë se qeveria me një dialog intensiv me biznesin dhe bankat do të bëjë gjithcka për të përmirësuar situatën e biznesit.

Sokol Balla: A ka fusha ku gjërat nuk po shkojnë mirë dhe ku duhet të ecet më shpejt?

Ilir Meta: Vendi ka kërkesa të mëdha dhe pritshmëritë janë të mëdha. Por mos harrojmë që ka qenë një tranzicioon jo i lehtë i pushtetit. Kemi patur një sjellje shumë të fuqishme nga qeveria e mëparëshme nga 23 qershori deri në dorëzimin e pushtetit. Në një kohë të shkurtër qeveria e re ka treguar vullnet, ekip, bashkëpunim për të ecur më shpejt dhe do të ecim më shpejt pa diskutim.

Sokol Balla: A ka ministra që duhen ndërruar apo do i mbani 8 vjet si Berisha?

Ilir Meta: Ju falenderoj që keni bindje që të paktën 8 vjet kjo maxhorancë do të qëndrojë. Ministrat sa i përket në gjykime dhe analiza të tilla i takon kryeministrit, por ajo që është më e rëndësishme është suksesi i kësaj qeveria, i kësaj maxhorance, sepse situata ekonomike financiare në rajon dhe Europë nuk është më e mira.

Sokol Balla: Si e gjykoni punën e ministrave të LSI? Gjosha tek integrimi status nuk kemi, Haxhinasto tek transporti, rrugët janë po njësoj dhe Naço tek drejtësia u kritikua ashpër nga ndërkombëtarët për paketën anti-korrupsion.

Ilir Meta: Qeveria është një dhe unë vlerësoj punën në ekip. Unë kam besim që në një kohë të shpejtë mund të japim një vlerësim më objektiv për qeverinë.

Sokol Balla: Nëse nuk merret statusi në qershor?

Ilir Meta: Unë mendoj që Shqipëria e ka merituar statusin me kohë, që nga momenti kur vetë Komisioni Europian bëri rekomandimin zyrtar, është institucioni më i specializuar. Vendimi merret nga shtetet anëtare, që ne e dimë që kanë qasje të ndryshme ndaj zgjerimit dhe në këtë drejtim nuk është koha për të vënë bast për qershorin apo shtatorin, por të ecim me reformat në ekonomi, punësim, drejtësi dhe duke vazhduar dialogun me Brukselin padyshim që statusi do të vijë.

Sokol Balla: A do të shndërrohet qershori një datë provimi edhe për qeverinë në llogaridhënien e brendshme?

Ilir Meta: Qeveria do të bëjë gjithcka që vendi të ecë në drejtimin e duhur. Edhe takimi sot me Komisionerin tregoi që jemi në rrugën e duhur dhe për vlerësimin e qeverisë, atë e bëjnë qytetarët shqiptarë.

Sokol Balla: Një krahasim i thjeshtë, banal, krahasimi i ministrave të qeverisë së tanishme me emrat e qeverisë së mëparëshme, janë më lartë apo më poshtë?

Ilir Meta: Unë jam i bindur që kjo qeveri pa asnjë diskutim ka një ndryshim thelbësor dhe shpresëdhënës për qytetarët në raport me qeverinë e mëparëshme. Sepse ajo e mëparëshmja ishte sumë e lumtur me situatën ekonomike, ndërsa qeveria aktuale është e palumtur, e shqetësuar dhe e motivuar për të bërë ato ndryshime të cilat ristrukturojnë shoqërinë, ekonominë tonë që bëjnë të mundur që qytetarët shqiptarë të kenë një të ardhme të sigurtë. Për mua ka rëndësi që para 6 muajsh kishim kryeminsitër që thoshte që Shqipëria konkurron me Gjermaninë, ndërsa sot kemi një kryeministër shumë më realist, që situata ekonomike nuk është ajo që duhet të jetë që të japim siguri afatgjatë ekonomike.

Sokol Balla: Nga Irlanda, ish-Kryeministri Berisha kritikoi ashpër Komisionerin Fyle duke e quajtur atë anti-shqiptar, i lobit serb etj…

Ilir Meta: Jam shumë i zhgënjyer për deklaratën e zotit Berisha. Një agresion tërësisht i papranueshëm dhe i padenjë i një politikani me përvojë si zoti Berisha, ish-kryeministër ndaj një përfaqësuesi kaq të lartë të Komsionit Europian. Unë distancohem si kryetar i Kuvendit dhe si qytetar nga kjo sjellje që nuk na afron me Europën.

Në fund të fjalës Meta foli shkurtimisht për LSI-në e cila, sic tha ai, do të vazhdojë të jetë forcë me profil të qartë konstruktiv, e majtë progresiste dhe pa komplekse në raport me të ardhmen.

Top Channel