Dialogu i nivelit të lartë me BE

05/03/2014 00:00

Në dialogun e nivelit të dytë mes Shqipërisë dhe BE-së, që nis të enjten në Tiranë, do të mbërrijë edhe komisioneri për Zgjerimin, Stephan Fuele.

Por opozita parlamentare ka akuzuar qeverinë Rama se po përpiqet ta përjashtojë atë nga fazat e procesit të integrimit evropian.

Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu tha në një deklaratë për shtyp se, kryeministri Rama po vepron ndryshe nga sa iu ofrua partisë së tij kur ajo ishte në opozitë.

“Në takimin e parë të nivelit të lartë Shqipëri-BE i kam kërkuar kryeministrit një përfaqësi në të njëjtat standarde që mazhoranca e sotme, dje në opozitë, ka pasur në këtë proces. Ia kam paraqitur zyrtarisht këtë kërkesë, por përgjigjia e tij ka qenë refuzimi i atij standardi, që zoti Rama kishte kur ishte vetë në opozitë. Qeveria nuk dëshiron që procesi i integrimit evropian të jetë gjithëpërfshirës”, deklaroi Bregu.

Por, sipas qeverisë, në dialogun e nivelit të dytë mes Shqipërisë dhe BE-së, që nis nesër në Tiranë, ku do të mbërrijë komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, është ftuar të marrë pjesë edhe opozita.

Përmes kësaj letre, ministrja e Integrimit Klajda Gjosha i është drejtuar kryetares së Komisionit të Integrimit, zonjës Majlinda Bregu, në të cilën ajo thotë se, për një proces sa më gjithëpërfshirës dhe duke vlerësuar rolin e opozitës, dy prej përfaqësuesve të saj janë të ftuar të marrin pjesë në këtë takim.

Ministrja e Integrimit vlerëson si të nevojshëm prezencën e opozitës, në takimin mes kryeministrit Rama dhe komisionerit Fule.

Top Channel