Ulen tensionet në Krime, rritje nëpër bursa

04/03/2014 00:00

Investitorët u kthyen sërish në bursë gjatë së martës, teksa shqetësimet për konfliktin ushtarak mes Rusisë dhe Ukrainës pësuan një hap prapa.

Mesatarja industriale e “Dow Jones” ka fituar 228 pikë, apo 1,4%. Kjo është rritja më e madhe për “Dow” gjatë këtij viti.

“S&P 500” është ngjitur në pikun më të lartë të të gjitha kohërave, ndërkohë që “Nasdaq” u rrit me afërsisht 1,8%.

Aksionet nëpër bursa u zhytën në humbje gjatë së hënës, pasi trupat ruse u dislokuan në gadishullin e rëndësishëm strategjik të Krimesë, në Ukrainë, duke shtuar kërcënimet për një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak mes dy vendeve.

Por, tensionet ranë disi gjatë së martës, pasi presidenti Vladimir Putin tha se Rusia nuk ka në plan të pushtojë rajonin, edhe pse ai theksoi se Moska rezervon të drejtën për të përdorur forcën ushtarake për të mbrojtur rusisht-folësit në Ukrainë.

Ndërsa investitorët mirëpritën komentet e Putin, situata në Ukrainë vijon të mbetet tepër e paqëndrueshme. Si presidenti Obama, ashtu edhe Sekretari i Shtetit, John Kerry, kritikuan veprimet e fundit të Rusisë, gjatë ditës së martë.

Shtëpia e Bardhë po konsideron vendosjen e sanksioneve, ndërsa liderët e SHBA-ve dhe Be-së u angazhuan të mbështesnin qeverinë e brishtë në Kiev.

***

Tregjet ndërkombëtare pësuan një rritje të ndjeshme gjatë të martës, përfshi bursën ruse që u rrit me 5%, pasi presidenti Putin përjashtoi mundësinë e një pushtimi të Ukrainës, të paktën në të ardhmen e afërt.

Tregjet kryesore europiane, të cilët pësuan një goditje të rëndë të hënën, njohën gjithashtu rritje me bursën londineze të “FTSE 100” që u rrit me 1,7% dhe “DAX”-in e Frankfurtit që u rrit me 2,2%.

Rritja në tregje ndodhi pavarësisht kërcënimit të Rusisë për të braktisur dollarin amerikan si monedhë të rezervës kombëtare.

Në një zhvillim të ndodhur gjatë ditës, kompania ruse e prodhimit të gazit, “Gazprom” tha se do të anullojë një marrëveshje të shitjes më të lirë të gazit për Ukrainën.

Megjithatë, Alexei Miller, shefi ekzekutiv i “Gazpromit” tha se kompania e tij mund t’i japë hua deri në 2-3 miliardë dollarë Kievit, për ta ndihmuar që të paguajë 1,5 miliardë të prapambetura ndaj kompanisë.

Top Channel