SHBA-Koresë: Vetëpërmbajtje me testet

04/03/2014 00:00

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki, tha se Korea e Veriut duhet të përmbahet sa i përket “veprimeve provokative, që përkeqësuan tensionet në gadishull”.

Zyrtarë të Mbrojtjes së Koresë së Jugut raportuan testime, që erdhën në momentin e ushtrimeve të përbashkëta ushtarake mes Jugut dhe SHBA-ve. Peniani lëshoi gjithashtu edhe 4 raketa të ngjashme, gjatë testeve të fundjavës së kaluar.

Zyrtarë të Jugut thanë se raketat e lëshuara herët, gjatë mëngjesit të së hënës, ishin të modelit “Scud-C”, të cilat kanë një rreze veprimi për të shënjestruar çdo objektiv në Korenë e Jugut. Zyrtarët në Seoul thanë se raketat fluturuan mbi 500 km.

Korea e Veriut kryen shpesh testime raketash me rreze të shkurtër, për të shprehur irritimin e saj për pjesëmarrjen e fqinjit jugor në ushtrimet e përbashkëta me amerikanët.

Jugu dhe SHBA-të nisën përgatitjet ushtarake më 24 Shkurt. Ushtrimet, që përfshinin mijëra trupa ushtarake, do të vazhdojnë deri në mesin e muajit Prill.

Peniani kundërshton këto ushtrime dhe në të kaluarën i ka quajtur “ushtrime lufte”. Vitin e kaluar, Veriu reagoi furishëm ndaj ushtrimeve të përvitshme ushtarake, që erdhën vetëm pak kohë pasi Peniani kishte ndërmarrë testin e tretë bërthamor, duke shkaktuar thellimin e sanksioneve ekzistuese të OKB-së.

Këtë vit, gjithsesi, marrëdhëniet mes dy Koreve duken se janë “ngrohur” disi. Në fillim të këtij muaji, ata lejuan ribashkimin e familjeve të ndara, që prej ndarjes së gadishullit korean, për herë të parë që prej vitit 2010.

Top Channel