Obama: Netanyahu, vendime të vështira

04/03/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ka paralajmëruar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se duhet të marrë “vendime të vështira”, në mënyrë që të avancojë me bisedimet për paqe me palestinezët.

Në Shtëpinë e Bardhë, Netanyahu iu kundërpërgjigj duke thënë se izraelitët presin prej tij “të qëndrojë fort” dhe se palestinezët nuk kanë bërë aq sa duhet nga pjesa e tyre për të ulur tensionet.

Shtëpia e Bardhë theksoi se shpreson të shohë një marrëveshje paqeje, të paktën brenda 29 Prillit. Por, që prej Korrikut të kaluar, kur dhe bisedimet rinisën pas 3 vjetësh ngecie, ka pasur shumë pak shenja progresi.

Dy liderët folën publikisht gjatë së hënës, përpara një takimi bilateral në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, do të takohet me Obama-n më vonë gjatë këtij muaji.

“Ende është e mundshme të krijohen dy shtete, ai hebre i Izraelit dhe ai i Palestinës, me njerëzit që jetojnë krah për krah në paqe dhe të sigurt”, tha Obama gjatë së hënës. “Por, kjo është e vështirë. Duhet arritur kompromisi nga të gjitha palët”.

Presidenti amerikan tha se afati përfundimtar i Prillit, për përmbylljen e bisedimeve po afrohet gjithnjë e më shumë, ndaj dhe “disa vendime të vështira duhen marrë”.

“Kryeministri do të marrë këto vendime, bazuar mbi angazhimin e tij absolut për sigurinë e Izraelit dhe pranimin më në fund se siguria e këtij shteti të fuqizohet nga paqja me vendet fqinje”.

I ulur krah presidentit të SHBA-ve, Netanyahu theksoi lirimin e të burgosurve palestinezë nga Izraelit, tërheqjen e tyre nga Gaza, si dhe hapa të tjerë të ndërmarra për uljen e tensioneve.

“Izraeli është duke e bërë pjesën e vet, por kam frikë se palestinezët nuk po veprojnë sa duhet”, tha ai. Netanyahu kërkoi nga palestinezët të njohin Izraelin si një shtet hebre.

“Rruga më e mirë për të garantuar paqen, është të jemi të fortë, kjo është ajo që më kërkohet nga populli i Izraelit: t’u bëj ballë kritikave, të qëndroj fort ndaj presioneve”.

Takmi mes dy liderëve erdhi vetëm pak kohë pasi Izraeli lëshoi statistikat, që tregojnë një shtim të madh të shpejtësisë së ndërtimit të blloqeve të banesave në Bregun Perëndimor, gjatë 2013-s.

Top Channel