Kriza, Austria ul shpenzimet ushtarake

04/03/2014 00:00

Ministri austriak i Mbrojtjes, Gerald Klug ka njoftuar se qeveria e
Vjenës nuk do të blejë më, siç ishte parashikuar, tre helikopterë
ushtarakë të tipit “Black Hawk” dhe 36 autoblinda “Dingo”.

Në këtë mënyrë, Ministria e Mbrojtjes do të garantojë një kursim prej më shumë se 100 milionë eurosh për arkat e shtetit, raporton e përditshmja “Kronen Zeitung”. Sipas gazetës, vendimi është justifikuar nga Klub me shkurtimet për buxhetin e mbrojtjes që arrijnë deri në 45 milionë euro më pak në vit.

Kursimi, ka shtuar ministri, është për momentin e vetmja rrugë për të garantuar funksionimin e ushtrisë austriake, duke qenë se për shkak të fondeve të reduktuara është arritur në fund të pusit. Megjithatë, Klug ka saktësuar se kësti i fundit për blerjen e avionëve luftarakë “Eurofighter” do të shlyhet sipas parashikimeve brenda vitit.

Sipas faqes zyrtare të Forcave të Armatosura të Austrisë, kursime të tjera do të garantohen nga riorganizimi i administratës ushtarake, 10 milionë euro, si dhe nga shtyrja e projekteve për ndërtimin e godinave ushtarake apo për restaurimin e atyre ekzistuese, për 10 milionë euro të tjera.

Top Channel