Korea e Veriut mbron testimin e raketave

04/03/2014 16:00

Korea e Veriut mbrojti këtë të mërkurë vendimin për të testuar një numër raketash me rreze të shkurtër veprimi, diçka që solli kritikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koresë së Jugut më parë gjatë javës.

“Është një sjellje e justifikueshme e bërë me qëllim vetmbrojtje. Është tërësisht e  pranueshme që të realizojmë këto testime ushtarake, në mënyrë që të mbrojmë paqen në rajon dhe sigurinë e vendit e qytetarëve tanë”, shkruhej në një komunikatë të Penianit zyrtar.

Testimet e Koresë së Veriut ndodhën ndërsa trupat amerikane dhe ato koreanojugore janë duke zhvilluar një manovër të përvitshme stërvitore pranë kufirit.

Kjo stërvitje e një shkalle të gjerë konsiderohet nga Peniani si “një ushtrim për pushtimin”, por Seuli refuzon këto konstatime, duke thënë se qëllimi i vetëm i stërvitjes së kryer me amerikanët është ai mbrojtës.

Më parë gjatë javës, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki, duke iu referuar testimeve raketore të vendit komunist u shpreh: “I kërkojmë Koresë së Veriut që të tërhiqet nga provokimet dhe veprimet që mund të rrisin tensionet, ndërsa e ftojmë që të përqendrohet në përmbushjen e detyrimeve dhe angazhimeve ndërkombëtare”.

Top Channel