Dy Koretë, dakord për dialog

11/02/2014 00:00

Zyrtarë nga Korea e Veriut dhe ajo e Jugut do të zhvillojnë bisedime të
rralla të nivelit të lartë të mërkurën, ka njoftuar Seuli zyrtar, në
prag të bashkimit familjar të planifikuar për më vonë gjatë muajit.

Për bisedimet nuk ka një axhendë konkrete, por gjithësesi unifikimi i familjeve të ndara thuhet se do të jetë në qendër të tyre. Marrëveshja për dialog vjen pas një propozimi të Koresë së Veriut.

Një zyrtar nga Jugu tha se ftesa kishte mbërritur pa paralajmërim dhe kishte qenë një surprizë e vërtetë për qeverinë e Seulit.

Sipas korrespondentes së BBC, Lucy Williamson, takimi i paralajmëruar ka sjellë shpresë se mes palëve mund të nisë një dialog i rregullt.

Dy Koretë do të lejojnë bashkimin e familjeve të ndara në Gadishullin Korean në fund të Luftës Koreane të viteve 1950-53, për pesë ditë deri më 20 shkurt.

Bashkime të tilla u bënë për herë të fundit në vitin 2010. Këtë herë ato përkojnë me nisjen e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, që si çdo vit acarojnë Veriun.

Shumë në Korenë e Jugut i shohin këto stërvitje si testin e vërtetë të qëndrimit të Penianit, raporton më tej gazetarja Williamson.

Javën e kaluar Peniani kërcënoi ndërprerjen e bashkimit të familjeve, duke paralajmëruar se dialogu dhe stërvitjet ushtarake nuk mund të mbahen paralelisht.

Top Channel