Një poezi kushtuar nënës sime, një film kushtuar time motre, një këngë kushtuar të vëllait, të fejuarës apo djalit. Janë të shumta ndjenjat dhe emocionet e secilit prej nesh që në një mënyrë apo në një tjetër mundohemi t’ia shprehim personave tanë më të dashur.

Nikolin Kurti është nga ata persona që i ka kushtuar më shumë se 25 vite të jetës së tij xhaxhait, Dom Shtjefën Kurtit. E takoi për herë të parë axhën në moshën 13-vjeçare, kur filloi të merrte nga ai edhe mësimet e para të italishtes.

Në vitin 1991, së bashku me disa qytetarë katolikë, Nikolini vendosi një përkujtimore për tre meshtarët katolikë të pushkatuar: Dom Shtjefën Kurti, Dom Zef Bici dhe Dom Mark Dushi. Por ky ishte vetëm fillimi i punës së nipit për të sjellë në kujtesën e shqiptarëve punën e xhaxhait për mbrojtjen e të drejtave themelore e universale të njeriut.

Me kërkesën e Nikolinit dhe të banorëve, një shkolle fillore në Novoselë të Epërme në Gjakovë iu vendos emri “Shtjefën Kurti” e më pas në fshatin Gorre të Fushëkuqes është vendosur emri i gjimnazit “At Shtjefën Kurti”, ku edhe është ngritur një muze me të gjitha materialet që Nikolini kishte mbledhur ndër vite. Më pas, bëri një kopje të bustit që ia dhuroi Kishës së Gurëzit.
 
Gjon Stefa , dramaturg dhe regjisor shkodran, bashkëpunoi me Nikolinin për të përgatitur dramën “Martiri për Fe e Atdhe, Dom Shtjefën Kurti”. Kjo dramë u soll në skenë një herë në teatrin e Lezhës dhe tjetra në teatrin “Migjeni” të Shkodrës.

Nikolini jeton çdo ditë me kujtimin e idhullit të tij dhe thotë se nuk do të reshtë asnjëherë duke i dedikuar atij vepra e punë nga më të ndryshmet.

Violeta Pojani: Rindërtimin e shtëpisë dhe ngritjen e muzeut ia kushtoj qëndistares së flamurit, Marigosë

Pesë vite më parë, në fshatin Hoçisht në rrethin e Devollit, kanë nisur punimet për të rikthyer shtëpinë ku u qëndis flamuri nga Marigo Pozio. Një amanet i lënë nga nëna e Violetës, por edhe vëllai i saj, i cili ishte bashkëshorti i Marigo Pozios.

Përpjekjet e Violetës, mbesës së Marigosë, zunë fill në vitin 2009 kur ajo më e vendosur se kurrë nisi të punojë për rindërtimin e shtëpisë dedikuar paraardhëses së saj. Peripecitë, siç tregon edhe ajo vetë, kanë qenë të shumta, por misioni i saj për ta hapur këtë shtëpi dhe muzeun në të për 100-vjetorin e pavarësisë ishte më i fortë.

Violeta flet me modesti për mundin dhe sakrificat e saj për t’i dhënë jetë kësaj shtëpie që 5 vite më parë ishte asgjë më tepër sesa një rrënojë: “Të gjithë kanë mbledhur materiale arkivore. Është e rëndësishme që u hap kjo shtëpi dhe që u mor vesh se Marigoja ishte një vajzë që i ka kushtuar jetën shërbimit ndaj kombit.”

Në shtëpinë muze çdo gjë është vendosur me një kujdes të veçantë, Violeta e ka pasururar jo vetëm me materiale të rëndësishme historike, por edhe me elemente karakteristikë që nuk gjenden rëndom në çdo banesë. Foto, shkrime, materiale të ndryshme rrethohen me sfondin dominues të së kuqes që jo rastësisht ka kjo banesë. Violeta duket e pandalur në përpjekjet e saj pasi ajo ende mendon sesi të bëjë diçka më tepër për t’i dedikuar punës patriotike ndër vite të nënës dhe familjarëve e saj.

“Duam që të ndërtojmë edhe diçka tjetër, kemi shpresa se mund t’ia dalim”, thotë Violeta.

Në fshatin Hoçisht, banesa e veçantë spikat dhe flet vetë ashtu sikundër flet dashuria e atyre që e rindërtuan, një dashuri që ka mbetur e njëjtë me ndjenjën e patriotizmit që kishin paraardhësit e pronarëve.

Top Channel