Teksas, ekzekutohet gruaja vrasëse

06/02/2014 00:00

Në Teksas të Shteteve të Bashkuara është ekzekutuar dënimi me vdekje për
një grua të dënuar për vrasje, duke shënuar rastin e 14 të ekzekutimit
të një femre në thuajse 4 dekada.

Suzanne Basso, 59 vjeç, u shpall e vdekur nga injeksioni fatal të mërkurën, në 18:26 me orën lokale. Ajo ishte shpallur fajtore në vitin 1998 për torturimin dhe më pas vrasjen e një burri me të meta mendore, të cilit i kishte premtuar se do të martohej me të.

Disa orë më herët, Gjykata Supreme hodhi poshtë pretendimet e avokatit të Basso se klientja e tij ishte e papërgjegjshme mendërisht. Mediat amerikane raportojnë se ajo nuk bëri një deklaratë finale dhe u buzëqeshi dy miqve të saj që po ndiqnin ekzekutimin.

Një gazetar i Associated Pres deklaroi se gruaja e dënuar u shfaq gati në të qarë. Pas dozës fatale të pentobarbitalit, ajo filloi të merrte frymë me vështirësi deri sa rreshti.

Ajo u shpall e vdekur 11 minuta pas injeksionit. Basso ishte dënuar me vdekje për keqtrajtimin e Louis Musso, 59 vjeç, nga shteti i Nju Xhersit dhe më pas vrasjen e tij në përpjekje për të marrë përfitimet e tij financiare.

Trupi i tij i rrahur dhe i zbardhur u gjet në një kanal jashtë Hustonit, në Teksas. Musso ishte djegur me cigare dhe rrahur brutalisht nga Basso dhe pesë bashkëpunëtorë të saj. Por ajo ishte e vetmja mes 6 të pandehurve që mori dënimin kapital.

Top Channel