Soçi, SHBA: Kujdes nga kolinoset-bombë

06/02/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar kompanitë ajrore, që ndërmarrin fluturime drejt Rusisë të jenë të kujdesshme në lidhje me mundësitë që materiale eksplozivi të fshihen në pastat e dhëmbëve apo tubat e mjeteve kozmetike, bën të ditur një burim i zbatimit të ligjit.

Burimi në fjalë theksoi gjatë së mërkurës se nuk ka asnjë rrezik të njohur ndaj SHBA-ve, por njoftimi ndaj transportuesve amerikanë dhe ndërkombëtarë bazohet mbi informacionet e fundit të inteligjencës, përpara fillimit të Lojrave Olimpike Dimërore në Sochi të Rusisë, këtë javë.

“Është e vërtet, kemi pasur informacione shumë të sakta”, tha një burim qeveritar, i cili nuk dëshironte të jepte detaje të mëtejshme. “Njoftimi bazohet mbi burime të besueshme. Jemi duke e marrë seriozisht këtë paralajmërim, ashtu si dhe shumë vende të tjera”.

Supozimi është që kërcënimi të jetë në një fluturim që largohet nga Rusia, shtoi burimi i mësipërm. Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha përmes një deklarate se “nga kujdesi i tepërt” ai ndan në mënyrë rutine “informacione të përshtatshme” lidhur me çështje kombëtare e ndërkombëtare, “përfshi ato të lidhura me evente ndërkombëtare”, siç janë Lojrat e Sochi-t.

Zyrtarë rus të transportit kanë pezulluar mbajtjen e lëngjeve në bagazhet e fluturimeve me avionë përpara këtyre lojrave, sipas një raporti të agjencisë ruse të lajmeve, RIA Novosti.

Peter King, lider i nënkomitetit mbi Terrorizmin dhe Inteligjencën, në Komitetin e Dhomës për Sigurinë Kombëtare, tha për CNN se amerikanët, avionët dhe pjesëmarrësit në Olimpiket e Sochi-t duhet ta marrin seriozisht këtë kërcënim.

King, republikan i Neë York,  beson se atletët dhe spektatorët amerikanë janë “mëse të sigurt”, por theksoi se ai vet nuk do të udhëtojë drejt Rusisë.

“Thjesht si një spektator, nuk mendoj se ia vlen të ndërmarrësh këtë rrezik. Dua të them se gjasat janë që të mos ndodhë asgjë, por gjasat janë gjithashtu më të larta se çdo kompeticion tjetër olimpik, që diçka të ndodhë në Sochi”, tha ai.

King tha se ka besim në faktin se si po e përballojnë sigurinë organizatorët rusë, “por ndoshta jo aq sa duhet, për shkak se ata nuk janë duke dhënë shumë informacione sekrete” rreth asaj që po ndodh brenda vendit.

“Kemi marrë informacione se çfarë po ndodh jashtë Rusisë, disa kërcënime të jashtme, por nuk dua ta teproj me kërcënime potenciale”, tha ai, duke theksuar se “ekziston një unazë çeliku rreth e qart Olimpikeve”, por “ka shkaqe reale për shqetësim” sa i përket vendndodhjes në Sochi apo zonat përreth.

Gjithsesi, administrata e Obamës nuk ka theksuar aspak, që udhëtimi drejt Sochi-t nuk është i sigurt. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha për CNN se “kushdo që kërkon të shkojë në Sochi për të parë Lojrat Olimpike, të cilat janë një eveniment madhor, le të shkojë. Nuk duam t’i themi njerëzve të mos e bëjnë diçka të tillë”.

Top Channel