Itali, shpëtohen 1123 emigrantë

06/02/2014 15:15

Më shumë se 1 100 klandestinë u shpëtuan pranë brigjeve të Italisë, informoi të enjten Roja Bregdetare Italiane.

Helikopterë të “Guardia Costiera” vëzhguan një sipërfaqe të konsiderueshme detare, për të identifikuar disa gomone me prejardhje nga Afrika e Veriut, duke drejtuar katër anije ushtarake drejt tyre.

Midis klandestinëve ndodheshin edhe 50 fëmijë.

Aktualisht, forcat ajrore po vazhdojnë monitorimin, për të kuptuar nëse ka mjete të tjera lundruese të mbushura me emigrantë në vështirësi.

Në muajin Janar, Italia priti mbi 2 mijë klandestinë, nga vetëm 217 që kishte pasur një vit më parë.

Në total, gjatë 2013-s në brigjet italine zbarkuan mbi 42 mijë klandestinë ose një rritje prej 325% në krahasim me 2012-n.

Këto statistika nuk përfshijnë mbase mijëra emigrantë që nuk kanë arritur kurrë deri në brigjet italiane, duke u mbytur në det.

Në muajin Tetor, 400 persona humbën jetën në vetëm një incident, kur peshkarexha e tyre e tejmbushur në kapacitet u fundos pranë ujrave të Lampeduzës, tokës italiane më pranë Afrikës së Veriut.

Për shkak të paqëndrueshmërisë politike në disa vende të Afrikës dhe luftës civile në Siri, ka pak gjasa që fluksi i emigrantëve të reduktohet edhe gjatë 2014-s.

Top Channel