Seanca e parë plenare për vitin 2014 nisi me kritikat e opozitës për qeverinë e Kosovës. Ka qenë deputetja e LDK-së Vjosa Osmani. e cila fajësoi qeverinë e Kosovës për mos mbajtjen e premtimit për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Ajo kujtoi deklaratën e eurodeputetes Ulrike Lunaçek se viza nuk do të ketë për dy apo tre vjet, ndërsa tha se fajtore mbetet qeveria e Kosovës si bartëse e këtij procesi.

“Që premtimet e kryeministrit për liberalizimin e vizave janë shumë larg realitetit, u demaskuan një ditë më parë nga Raportuesja për Kosovën në PE, zonja Lunacek e cila deklaroi se liberalizimi nuk do të bëhet brenda këtij vitit, dhe se kjo nuk do të ndodhë 2-3 vitet e ardhshme”, tha në fjalën e saj, Vjosa Osmani, deputete e Kuvendit të Kosovës.

Me nismë të lëvizjes Vetëvendosje, Kuvendi i Kosovës debatoi të enjten për mënyrën e privatizimit të ndërmarrjes së amortizatorëve në Prishtinë, proces i mbyllur në vitin 2010. Vetëvendosje shpalosi detaje të privatizimit të kësaj ndërmarrjeje shoqërore, duke e kritikuar ashpër Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe qeverinë.

Fabrika u dha për 7.17 milionë euro, ndërsa brenda saj kishte makineri me vlerë prej 46 milionë euro, të cilat nuk ishin pjesë e tenderit. Siç kujton Vetëvendosje, kompanitë fituese të tenderit kanë shitur kundra ligjit dhe për përfitime personale makineritë të cilat nuk ishin pjesë e tenderit.

“Më vjen mirë që gjuha e punëtorëve që na dërguan materialin ka nisur të përdorë shprehejet e duhura, si p.sh kriminalitet i jakave të bardha dhe kapje e shtetit sepse me të vërtetë është kështu. Bëhet fjalë për kriminalitet të jakave të bardhe dhe bëhet fjalë për kapje të shtetit dhe kur punëtorët ankohen se është kapur shtetit, t’u thuash që shkoni tek gjykatat, është në rastin më të mirë, cinizëm”, tha kreu i VV, Albin Kurti.

Deputetët kritikuan ashpër edhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit, si institucion administrues i ndërmarrjeve shoqërore. Në rastin e fabrikës së amortizatorëve AKP-ja kishte realizuar privatizimin, ndonëse në garë nuk ishin tre ofertues, siç e kërkon ligji. Kritik ishte edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

“Me privatizimet e bëra kundër bazës ligjore, kundër ligjeve në fuqi nuk duhet të friksojnë investitorët, investitorët duhet t’i friksojë fakti se privatizimet janë të paligjshme”, tha zoti Krasniqi.

Ndërsa kabineti qeveritar mungoi pothuajse i tëri në këtë seancë, Kuvendi i Kosovës vendosi që të themelojë një komision parlamentar për hetimin e mënyrës së privatizimit të fabrikës së amortizatorëve dhe rekomandoi pezullimin e kontratës me përfituesit e tenderit.

Deputetët e Kuvendit kërkuan nga qeveria dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit që të zbatojnë vendimin e gjykatës, që punëtorëve të fabrikës së tubave në Ferizaj t’u paguhet kompensimi në vlerë prej 30 milionë eurosh, një fabrikë tjetër kjo e privatizuar në vitin 2007.

Top Channel