“Shqip”, të ngujojmë gjakmarrjen

20/01/2014 00:00

Viti i kaluar u mbyll në emisionin “Shqip” me një plagë të vjetër të shoqërisë shqiptare, me gjakmarrjen. Emisioni u zhvendos në ato ditë festive në vatrën e një familje të ngujuar, e cila e kishte të pamundur të kalonte muret e zymta të shtëpisë, për të thither ajrin e fundvitit.

Me një panel të zgjedhur, Rudina Xhunga iu rikthye këtë të hënë këtij zotimi të marrë ndaj këtyre familjeve, duke rikthyer në vëmendje këtë opinion.

Lindita Nikolli, ministrja e Arsimit dhe Sportit ishte njëra prej të ftuarave, ndërsa Ndon Lush Gjergji, vikari i përgjithshëm i Ipeshkvive të Kosovës, Marian Demaj, falës gjaku dhe Riza Krasniqi, nga lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve, iu bashkuan bisedës, duke treguar se si Kosova ka arritur të zhdukë gjakmarrjen në vitin 1992.

Ishte një nismë e studentëve, ajo që bëri të mundur faljen e 1 250 gjaqeve në atë vit dhe që bashkoi për shumë vjet të gjithë shoqërinë kosovare.

Emisioni, nisi me një rikujtesë të fjalëve të Marselës, e mitura e ngujuar që i dedikoi një vjershë lirisë. “Pas galasë në 30 Dhjetor, sinqerisht nuk e kam ndierë veten më ligsht. Kur e pyeta Marselën se çdo të më thonte, ndonëse u përpoqëm të organizonim një atmosferë feste, ajo më tha do të them një vjershë. Duke e parë në atë moshë të mitur, mendova se do të thonte diçka të moshës, por ëndrra për të ishte liria. Ëndrra për të ishte të kishte mundësinë ajo dhe bashkëmoshataret të jetonin si të gjithë të tjerët”, deklaroi ministrja Nikolli.

“Pasioni i një qeverie, i një skuadre të re që kërkon në veprimtarinë e saj të krijojë një realitet tjetër për çdo shqiptar është garancia më e mirë… Por, nëse i drejtohesh Linditës si mësuese dhe nënë, sinqerisht besoj që ka ardhur koha dhe i falenderoj posaçërisht këta zotërinj të Kosovës, që të nisim këtë debat sepse kemi parë shpesh që debati këtu mbetet në shifra, sa fëmijë janë të ngujuar, që realisht nuk është ky debati i vërtetë… Pa folur për Kanunin, në është ky i vërteti apo i deformuari. Qoftë edhe vetëm për një fëmijë që përjeton skena të tilla, ne duhet të alarmohemi e në këtë kuptim le të shërbejnë këto përvoja dhe shembulli i shkëlqyer i këtyre zotërinjve që kanë ndërtuar një realitet krejt tjetër në Kosovë”, shtoi Nikolli.

“Nuk ka gjakmarrje si dukuri, por ka raste sporadike, pasi në Kosovë ndodhi lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve”, shpjegoi Riza Krasniqi, mbi atë që ndodh sot me fenomenin e gjakmarrjes në shtetin e dytë shqiptar të Ballkanit.

“Këtë nismë nuk e filluam ne, nuk e nisën intelektualët, por studenëtët e universitetit të Prishtinës dhe pikërisht Flamur Gashi më ftoi mua pasi ata e filluan. E filluan 5-6 studentë, në pajtimin e parë u bënë 22, ndërsa pas lufte u mblodhën 500 mijë vete, gjysmë million shqiptarë për të na përkrahur, pasi ishte një ide e mirë, e domosdoshme në kohën e caktuar. Sa i përket pajtimit të parë, të dy familjet kishin të vrarë, të dy kishin të burgosur, të dy kishin lënë pasurinë për avokatë, mirëpo u bindën që falja ishte rrugëdalja më e mirë dhe në realitet ishte e vetmja. Sa ndikuan serbët për të bashkuar shqiptarët? Ekzistojnë 99 arsye për faljen, asnjë për gjakmarrjen”, shtoi Krasniqi.

“Këtu është edhe suksesi më i madh, sepse pashë rininë që ishte prijëse, ishte frymëzuese dhe zbatuese e projektit më të madh me në krye e të pavdekshmin Andon Cetën. Ne mblodhëm të gjithë njerëzit të profileve të ndryshme dhe i bëmë pajtimet si në kisha e xhami, si në oda, si në livadhe, ndër vendet nga më të ndryshmet, vetëm e vetëm që të gufonte e mira dhe të hiqnim përgjithmonë prej zemrës së njerëzve urrejtjen dhe të keqen. Ne jemi të lië dhe Shqipëria është e lirë e unë jam plotësisht me ju, por a mund të themi që jemi të lirë nëse s’jemi të mirë dhe s’mundim dot urrejtjen? Ju e keni mundur një diktaturë, por diktatura më e madhe është e keqja, urrejtja. Në emër të kësaj lirie, duhet të jemi të lumtur që shohim sy më sy njëri-tjetrin, takojmë vëllezër e motra. Ka shumë raste që na kanë mbetur në mendje, sidomos kur gjysmë milionë shqiptarë u bashkuan për të festuar jetën dhe pajtimin, kur ne ishim të rrethuar nga tanksa e polici serbe, por njerëzit s’kishin më frikë e drojë. Dalëngadalë u afrua një grua 45 vjeç e më tregoi se ajo dhe e motra ishin përbetuar prej 20 vitesh për të marrë gjakun e vëllait të vetëm që i kishin vrarë. E si rrjedhojë, kishin mbetyr të dyja të vetme, qyqe. “Kur shoh të gjithë këta shqiptarë këtu që ma kanë ngjallur vëllain, i qoftë gjaku i tij falë””, tha ajo, kujtoi atë moment emocionues imzot Dom Lush Gjergji.

“A është e vështirë të falësh gjakun? Jashtëzakonisht e vështirë, por është edhe momenti në të cilin kam ndierë lirimin më të madh shpirtëror”… Kështu nisi rrëfimin e tij Marjan Demaj, një hero i jetës së përditshme, vëllai që fali gjakun e tre vëllezërve të tij të vrarë për të mos u bërë edhe ai si vrasësit e tyre…

“Kërkoj falje nëse lëndoj ndienjat e atyre që e kanë provuar këtë plagë kaq të rëndë, por po provoj me tregu siç ka qenë. Përfytyroni… Familja ime jeton këtu, familja e fqinjit këtu ngjitur e kemi lidhje kumbarie. Toka e fqinjit me tonën ndahej vetëm një garth. Ne kemi pasur një problem me rrugën, e kur një zyrtar i pakujdesshëm ftoi palët në zyrë, shkaktohet një incident fizik. Në verën e 1976, posa u ktheva nga zyra për t’u regjistruar në fakultet kur dëgjoj ca krisma shumë të tmerrshme në fshat. Dëgjoj një zë, marr pushkën dhe nisemi shkrepa një fishek, por dorasi (vrasësi) ishte larguar… Dy vëllezër të mi, të pajetë gjendeshin në tokë”…

Dhimbja e zotit Demaj ishte e paimagjinueshme, por ai i rezistoi tundimit fillestar për t’u hakmarre, veçse nëntë vjet më vonë, i vritet në një pritë edhe një vëlla i tretë. “Ai ishte momenti kur vendosesha të hakmerresha”, tregon ai. “Por, një prift më tha: “Nëse mund të ringjallje vëllezërit do të vija me ty të hakmerresha”. Megjithatë, isha i vendosur, por i thashë familje sime që nëse vritem në tentativë, atëherë le të mbetej gjaku i vëllezërve dhe të mos kërkonin një gjak të katërt. Dita kur thashë fal gjakun? Ka qenë një luftë e madhe mes dy personaliteteve, atë me u hakmarr dhe atë me fal, një luftë e vërtetë që pavarësisht se fitoi Marjani me fal e me shpëtu jetë, ai tjetri ishte ushqyr me atë mentalitet që është gjakmarrja, që tek ne kishte rrënjë të thella ishte një institucion…”.

Në rrëfimin e tij prekës, Demaj kishte edhe një mesazh të sinqertë: “E kuptoj që ai që duhet me fal është shumë e vështirë, është një mentalitet dhe një botë që na rrethon dhe që këtë dhimbje e kanë të vështirë ta kuptojnë të tjerët që nuk e përjetojnë. Fuqia e fjalës sime është shumë e varfër me e shpreh atë vështirësinë që të del nga zemra. Ajo fjalë që qoftë fal gjaku i vllaut apo ai nipit, gjyshit etj, mirëpo ajo që kërkoj është pikërisht të kërkoj nga ata që janë në pozitën time, të gjejnë fuqi ta mbijetojnë atë pemën e hakmarrjes që ka rrenjë fort të hidhura, të zgjedhin mes asaj me shpëtu jetë apo me e marr atë”.

*NË NDIHMË TË FAMILJEVE TË NGUJUARA MUND TË NDIHMONI NË NUMRIN E LLOGARISË PRANË UNION BANK, 112100438020115-TOP CHANNEL SH.A – NDIHMË PËR FAMILJET E NGUJUARA IBAN AL63214112090112100438020115 

Top Channel