
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjet teknike për zgjedhjet për kryetar të Komunës së Mitrovicës Veriore.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka deklaruar se Komisioni është i gatshëm të organizojë zgjedhjet për komunën veriore të Mitrovicës, ndërkohë që pritet vendimi i presidentes për caktimin e datës.
Sipas të gjitha dispozitave ligjore, zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut do të mbahen më 23 shkurt.
“Jo, ne nuk presim ndonjë telash. Kemi filluar përgatitjet dhe jemi në dijeni se shumë shpejt presidentja, duke u bazuar në afatin ligjor, do t’i shpallë zgjedhjet dhe se ne, pavarësisht datës, vetëm kemi filluar përgatitjet teknike. Shpresojmë se gjithçka do të shkojë në rregull, ashtu si ka shkuar herën e kaluar”, ka deklaruar Daka.
Përsëritja e zgjedhje për komunën veriore të Mitrovicës vjen pas dorëheqjes së kryetarit të zgjedhur nga zgjedhjet e fundit Krstimir Pantiç. Ky i fundit tejkaloi afatet ligjore të betimit si kryetar, duke kundërshtuar betimin me simbolet e Republikës së Kosovës.
Top Channel