“General Motors” ishte fituesi i madh në panairin ndërkombëtar të automjeteve në Detroit, duke rrëmbyer çmimet e para në kategorinë e makinave të vogla dhe atë të kamionëve.

“Chevrolet Corvette Stingray”, e ridizenjuara e kësaj kompanie, u shpall makina amerikano-veriore e vitit për 2014-n.

“Morëm përsipër ca rreziqe me ‘Stingray’-n dhe këtë çmim dua ta pranoj në emër të të gjithë atyre, që u bashkuan me nismën tonë, njerëzve që punuan qoftë me dizajnin, qoftë me zbatimin. Ju falemnderit djema, ju falemnderit shumë”, tha Tadge Juechte, kryeinxhinjer i “Chevrolet Corvette Stingray”.

Kamioni më i mirë i vitit u caktua njëzëri “Chevrolet Silverado”, varianti i përmirësuar, duke e bërë këtë, të parën herë në historinë e “General Motors”, që merr të dy çmimet më të lakmuara të një viti.

Makinat e tjera finaliste përfshinin “Cadillac CTS” dhe “Mazda3”, ndërsa kamionët “Acura MDX” dhe “Jeep Cherokee”.

Fituesit u përzgjodhen nga një panel prej 48 gazetarësh dhe specialistësh nga Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.

Panairi i përvitshëm i Detroitit është një nga ngjarjet kryesore të industrisë së makinave, ku prezantohen makina dhe teknologji të reja.

Për qytetin, që në 2014-n hyri me barrën e falimentit mbi supe, ky event ishte deri diku tregues i faktit, që industria e makinave atje është mjaftueshëm e fuqishme për organizimin e panairit, që besohet se do të gjenerojë rreth 400 milionë dollarë për ekonominë lokale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA