Komisioni Europian tenton të qetësojë vendet si Britania e Madhe, Franca e Gjermania, që i druhen fluksit të punëtorëve rumun e bullgarë, meqënëse më 1 Janar 2014 ka përfunduar periudha tranzitore 7-vjeçare, pas anëtarësimit të këtyre dy vendeve në Bashkimin Europian, çka mundëson lëvizjen e lirë të shtetasve të tyre për të jetuar dhe punuar në cilindo prej 28 vendeve të BE-së, pa pasur nevojë për të kërkuar një leje pune.
“Gjatë muajve të fundit kemi parë një lloj prodhimi idesh, mbi atë se çfarë do të ndodhë në kuadër të lëvizjes së lirë, dhe disa prej këtyre propozimeve apo ideve nuk kanë, në të vërtet, nevojë për përgjigje. Shpresoj shumë se pas disa javësh, kur njerëzit të shohin se nuk do të ketë ndonjë fluks të madh punëtorësh që emigrojnë nga Rumania e Bullgaria, drejt atyre vendeve të Bashkimit Europian, që kanë hapur së fundmi tregun e tyre të punës ndaj qytetarëve të këtyre dy vendeve, ky diskutim do të qetësohet disi. Gjithsesi, disa gjëra janë studiuar, e dihet se njerëzit synojnë të shkojnë nga vendet me të ardhura të ulta, drejt atyre me mirëqenien më të lartë dhe, në një farë mënyre, duhen parë faktorët shtytës, që stimulojnë njerëzit për të kërkuar punë në një vend tjetër, në mënyrë që të sigurojmë praninë e mundësive dhe zhvillimin e tyre”, tha Laszlo Andor, Komisioner i BE-së për punësimin dhe çështjet sociale.
Komisioneri Andor e ka konsideruar “të poshtër” qëndrimin e kryeministrit britanik Cameron, për ndryshime të rregullores, në mënyrë që të huajt të mos përfitojnë ndihma sociale.
Komisioni Europian llogarit se, aktualisht, jetojnë 3 milionë rumunë e bullgarë në BE, ndërsa ekzistojnë ende 2 milionë vende të lira pune.
Top Channel