“Ofensiva” botërore e kancerit

12/12/2013 15:40

14 milionë persona u prekën prej kancerit gjatë vitit 2012, një rekord i ri që tregon për përhapjen gjithmonë edhe më të madhe të sëmundjes vdekjeprurëse në shkallë botërore.

Të dhënat u publikuan të enjten prej Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila përpilon statistikat e saj në shkallë globale.

Në vitin 2008, në botë u regjistruan 12,7 milionë raste të reja tumoresh dhe kjo është edhe hera e parë në shumë vjet që së bashku me rastet e reja është rritur edhe vdekshmëria.

Gjatë 2012-s, 8,2 milionë persona humbën jetën në të gjithë planetin për shkak të sëmundjeve kancerogjene, nga 7,6 milionë katër vjet më parë.

Pas sëmundjeve kardiovaskulare, ato tumorale janë shkaku i dytë më i përhapur i vdekjeve natyrale në botë dhe rritja e nivelit të obezitetit, duhanpirësve e jetëgjatësisë ndikon direkt në shtimin e rasteve të prekjes prej tumoreve.

Kanceri i mushkërive, i cili shkaktohet kryesisht nga duhanpirja, ishte forma kryesore e tumoreve me 1,8 milionë raste ose 13% të totalit të të gjithë kancerave gjatë vitit të shkuar.

OBSH paralajmëroi se rritja e rasteve të kësaj sëmundje po sjell edhe një rritje të vazhdueshme të kostove që shtetet e ndryshme të botës, pacientët apo familjarët e tyre po shpenzojnë për trajtime gjithmonë e më të kushtueshme.

Top Channel