ZMA, Biden-Xi “bisedime të hapura”

05/12/2013 00:00

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë zhvilluar bisedime “shumë të hapura” në lidhje me shqetësimet për zonën e re ajrore të Kinës, ka deklaruar zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden.

Duke folur pas takimit me liderin kinez Xi Jinping, zoti Biden deklaroi se zona kishte shkaktuar shqetësime në rajonin e Azisë.

Takimet e turit aziatik të zotit Biden janë dominuar nga tema e zonës së re ajrore të Kinës, që mbulon ishujt e kontrolluar nga Japonia në Detin Lindor. Kina insiston se lëvizja e saj është në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Ajo e njoftoi shpalljen e zonës së mbrojtjes ajrore, ZMA, muajin e kaluar dhe deklaroi se të gjitha mjetet që do të kalonin përmes saj duhet të identifikoheshin dhe të prezantonin një plan fluturimi.

Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Korea e Jugut e kanë refuzuar kushtin e kinës dhe kanë cuar për fluturim mjetet e tyre ajrore. Zoti Xi dhe zoti Biden u takuan për rreth 5 orë ditën e mërkurë, por kur folën për mediat nuk e përmendën fare çështjen e ZMA-së.

Gjithësesi, zoti Biden u tha biznesmenëve se: “U tregova shumë i hapur për qëndrimin tonë të palëkundur dhe për pritshmëritë tona në bisedimet që zhvillova me presidentin Xi”.

“Shpallja e zonës ajrore ka shkaktuar shqetësim në rajon. Kina ka një përgjegjësi jetike për të kontribuar në favor të paqes dhe sigurisë”, shtoi Biden.

Ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Hong Lei u shpreh: “Gjatë bisedimeve pala kineze përsëriti pozicionin e saj parimor, duke theksuar se lëvizja është në përputhje me ligjin dhe praktikat ndërkombëtare. Ndërsa pala amerikane u angazhua për një qëndrim objektiv, të drejtë dhe për respekt”.

Top Channel